Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti mori pjesë në Konferencën e katërt të Ambasadorëve e cila po mbahet në Prishtinë që nga 19 dhjetori.
Duke folur për partneritetin Kosovë-Shqipëri dhe pritjet për vitin 2017, zëvendësministri rreshtoi ngecjet e deritanishme sa i përket bashkëpunimit, qoftë sa i përket mosfunksionimit të duhur të kalendarit të përbashkët kulturor, qoftë edhe kritikave të komunitetit të artistëve rreth ngecjeve në bashkëpunim.
Referuar kësaj, Hoti tha se përpjekjet e dy vendeve duhej të shkriheshin në një angazhim të vetëm, e kjo nëpërmjet krijimit të një ministrie të përbashkët të kulturës, si një trung institucional.
Ai tha se pavarësisht se kjo ide i ka vështirësitë e saj juridike, megjithatë, një gjë e tillë do të mund të realizohej fillimisht në një formë tjetër të bashkëpunimit, nëse i referohemi Ligjit Nr. 42/2016 për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë (neni 13) por edhe ai i Kosovës që lejojnë bashkëpunimin institucional përmes marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara.
Për të qenë ligjërisht korrekt, zëvendësministri propozoi që përmes një marrëveshje në mes të ministrave, të propozohet krijimi i Mekanizmit për Kulturë i përbashkët, që koordinon, përafron dhe bashkërendon politikat kulturore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, deri në involvimet e mundshme buxhetore.
“Përveç në stad marrëveshjes, ky mekanizëm do të mund bëhej shumë lehtë edhe kategori ligjore në të dyja shtetet”, u shpreh Hoti.
Një mekanizëm i tillë i përbashkët, sipas zëvendësministrit do të mund të siguronte edhe më shumë qasje në fondet e BE-së për kulturë, marrë për bazë faktin se Industritë kulturore dhe kreative përfaqësojnë rreth 3% të GDP-së globale.
“Natyrisht se formimi i Ministrisë së Kulturës për të dyja shtetet mbetet perspektivë e cila implikon edhe ndryshime Kushtetuese brenda dy shteteve sovrane e unitare, siç është Republika e Kosovës dhe e cila ende do kohë”, tha Hoti.
Hoti, tha se model të ngjashme të ndërtimeve institucionale mund të bëhen edhe në fushat tjera, si në ekonomi, siguri, polici, shëndetësi, arsim, transmeton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.