Me tri gola në fitoren përmbysëse të SC Gjilanit ndaj Feronikelit 74, Almir Aganspahiq është shpallur lojtari më i mirë i javës në Superligën e Kosovës për xhiron e 31-të.
Kjo paraqitje mbresëlënëse e sulmuesit të Gjilanit ka bërë që Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin Albi Mall, t’ia ndajë çmimin “Ylli i Javës”, njofton Klankosova.tv.
"Gjatë gjithë lojës ishim në disavantazh, por në pjesën e dytë u treguam më ofanzivë, më agresivë, dhe arritëm të shënojmë tre gola. Jam shumë i lumtur për këtë. Veçanërisht për dy golat e parë si dhe për golin vendimtar në sekondat e fundit të ndeshjes. Ende jemi në luftë, ende po luftojmë për objektivat tona. Po luftojmë për vendin që na çon në Evropë…dhe besojmë se do të japim maksimumin për ta arritur atë", tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
Vendimi për këtë çmim është marrë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Skender Kapra, Rifat Nasufi dhe Agim Xhakolli./Klankosova.tv.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.