Lajmet e fundit

Hamasi tha të enjten se kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump kundër palestinezëve përbënin mbështetje për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t'u tërhequr nga armëpushimi i Gazës dhe për të intensifikuar rrethimin e Gazës.
Trump kërkoi në një postim në mediat sociale të mërkurën që Hamasi "të lirojë të gjithë pengjet tani, jo më vonë", duke përfshirë eshtrat e pengjeve të vdekur.
Deklaratat e tij erdhën në ditën kur u mor lajmi se një i dërguar i Trumpit ka zhvilluar bisedime sekrete me Hamasin, duke sinjalizuar një largim nga një politikë e vjetër e ShBA-së për të mos negociuar me fraksionin palestinez islamik të konsideruar si organizatë terroriste nga Washingtoni.
"Kërcënimet e përsëritura të Trump kundër popullit tonë përfaqësojnë mbështetje për Netanyahun për t'iu shmangur marrëveshjes dhe për të forcuar rrethimin dhe urinë kundër popullit tonë," tha zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif Al-Qanoua, në një mesazh me tekst për Reuters.
"Rruga më e mirë për të liruar të burgosurit e mbetur izraelitë është të hysh në fazën e dytë dhe ta detyrosh atë (Izraelin) t'i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar nën sponsorizimin e ndërmjetësve," tha ai, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.