Lajmet e fundit

Pep Guardiola, trajneri i Manchester Cityt, tregoi se ishte shumë i zemëruar nga fundi i sezonit të kaluar, kur John Stones u rikthye i lënduar nga një ndeshje miqësore me Anglinë në mars, pak para sfidës së Cityt ndaj Real Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar.
Ai ishte shumë i shqetësuar me trajnerin e atëhershëm të Anglisë, Gareth Southgate, pasi dy nga mbrojtësit e tij kryesorë i ishin lënduar në atë periudhë.
Kyle Walker ishte lënduar në ndeshjen kundër Brazilit dhe i mungoi Cityt për katër ndeshje, duke u rikthyer vetëm pas pushimit ndërkombëtar.
Stones gjithashtu ishte lënduar pas vetëm nëntë minutash përballje kundër Belgjikës, por fatmirësisht arriti të luajë në ndeshjen e ardhshme të Cityt kundër Arsenalit.
Guardiola, në konferencën për media para ndeshjes me Sparta Prague, që luhet të mërkurën (23 tetor), e shprehu hapur pakënaqësinë e tij për mungesën e komunikimit nga Southgate në atë kohë.
"Nuk kam qenë kurrë aq i zemëruar si në atë moment. Ishte një ndeshje miqësore dhe ne po përgatiteshim për çerekfinalet kundër Madridit. Nuk më pëlqeu që ai (Stones) u rikthye i lënduar", tha ai.
Guardiola shtoi se gjithmonë inkurajon lojtarët të shkojnë në ekipin kombëtar, por theksoi se nga ndeshjet miqësore nuk duhet të kthehen të lënduar, sidomos kur klubi paguan mirë për ta, shkruan Onefootball.com, përcjell Klankosova.tv.
Manchester City do të jetë pa Walkerin, Kevin de Bruynen, Oscar Bobbin dhe Rodrin në ndeshjen e ardhshme kundër Sparta Prague në Ligën e Kampionëve. /Klankosova.tv