Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka mbështetur Erling Haaland që të kalojë Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Champions League.
“Qytetarët” e nisën fushatën e tyre në Champions League me një fitore 2-0 ndaj Napolit, që mbeti me 10 lojtarë, në Etihad Stadium falë golave të Haaland dhe Jeremy Doku.
Si rezultat i këtij goli, Haaland u bë lojtari më i shpejtë që arrin kuotën e 50 golave në Champions League, duke arritur këtë shifër vetëm pas 49 paraqitjesh. Guardiola e lavdëroi sulmuesin norvegjez pas natës me rekord, duke theksuar se është “e pabesueshme” që ai të arrijë një gjë të tillë.
“Çfarë mund të them? Shifrat flasin vetë,” tha Guardiola për gazetarët pas ndeshjes së së enjtes
. “Ne jemi me fat që e kemi atë. Thjesht ta urojmë, sepse është krahas golashënuesve si van Nistelrooy, Lewandowski, por mbi të gjitha dy ‘përbindëshat’ Cristiano dhe Messi për 20 vjet, dhe fakti që Erling është aty është e pabesueshme", deklaroi trajneri katalanas, transmeton Klankosova.tv.
Guardiola ishte i qartë kur iu bë pyetja nëse Haaland mund të kalojë Messin dhe Ronaldon për t’u bërë golashënuesi rekord i Champions League. “Me këtë ritëm, po,” tha Guardiola.
“Nëse nuk lëndohet, mund të luajë edhe 10 ose 12 vite të tjera, dhe nëse e mban këtë progres, absolutisht.” Aktualisht Haaland ndodhet në vendin e nëntë së bashku me Thierry Henry në listën e golashënuesve më të mirë të Champions League në të gjitha kohërat. Atij i duhen edhe 90 gola për të barazuar Ronaldon, i cili kryeson si golashënuesi rekord i kompeticionit, pasi ka realizuar 140 gola në 183 ndeshje të UCL-së me Manchester United, Real Madrid dhe Juventus.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.