Në kuadër të "Vihuela Guitar Festival", kitaristi Grigor Ylli sjell në Prishtinë virtuozitetin e brezit të ri që po ngjit me shpejtësi skenat ndërkombëtare, duke dëshmuar se arti i interpretimit solistik vazhdon të rilindë përmes fytyrave të reja.
"Vihuela Guitar Festival", që nga themelimi i kushton një mbrëmje të veçantë talentëve të rinj që po formësojnë të ardhmen e kitarës klasike në rajon dhe në botë.
I ftuari i këtij edicioni, Grigor Ylli, është kitarist shqiptar i lindur në vitin 2003; aktualisht student në Conservatory of Music, Oberlin College (SHBA), nën udhëheqjen e prof. Stephen Aron. Formuar në Shqipëri dhe Greqi me pedagogë si Viktor Cani, Admir Doçi, Stefanos Soulinakis, Fotis Koutsothodoros, dhe diplomuar në Synchrono Odeio (Selanik).
Grigori është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, ka fituar Grand Prix në Tirana International Guitar Competition (2016) dhe Çmimin e Veçantë për Talent të Jashtëzakonshëm në Forum Gitarre Wien (2017). Në vitin 2021 mori Çmimin e Dytë në Konkursin Panhelenik të Muzikës “Tasos Pappas”. Gjithashtu, është një nga finalistët, i vetmi në instrumentin e kitarës, në konkursin për përfaqësimin e Shqipërisë në përzgjedhjen për Eurovision Young Musicians dhe aktiv në skenat koncertale në Greqi, Itali, Austri, Shqipëri dhe Kosovë, si solist dhe interpretues me orkestër.
Koncerti mbahet sonte duke filluar nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.