Këtë të martë do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të “Play-Off” në FIVE STAR Superligën e Basketbollit të Kosovës.
Skuadra e Rahovecit do të jetë përsëri nikoqire e Yllit, ndeshje kjo që do të fillojë nga ora 17:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport 1, ndërsa ballafaqimi tjetër mes Ponte Prizrenit dhe Pejës zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” me fillim prej orës 20:15 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport 1.
Sistemi në gjysmëfinale është 2-2-1, që do të thotë se edhe në takimet e dyta, vendas janë Rahoveci dhe Ponte Prizreni.
17:00 RAHOVECI – G. E. YLLI ART SPORT 1
Takimi i parë i ditës do të zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma” të Rahovecit. Vreshtarët pas triumfit në ndeshjen e parë ndaj therandasve të Golden Eagle Yllit me rezultat 69-66, do të synojnë fitoren e dytë për të qenë sa më afër finales.
Ndërsa nga ana tjetër, fituesit e Ligës Unike Golden Eagle Ylli do kërkojnë fitoren në këtë përballje të dytë, në mënyrë që ta barazojnë serinë gjysmëfinale, pasi që edhe me një triumf eventual fitojnë përparësinë e palestrës.
Në ndeshjen e parë, te Rahoveci u dallua Darell Davis me 23 pikë, tetë kërcime e pesë asistime ndërsa për Golden Eagle Yllin ishte qendra Demetrious Morant me 12 pikë e tetë kërcime.
20:15 PONTE PRIZRENI - PEJA ART SPORT 1
Ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet përsëri në Prizren. Në takimin e parë të zhvilluar para dy ditësh, Peja fitoi si mysafire me përmbysje rezultati ku semafori në fund tregonte 100-92 në të mirë të verdh e zinjëve.
Tani djelmoshat e Dragan Radovicit do kërkojnë fitoren e dytë dhe në ndeshjen e tretë në “Karagaq” të kualifikohen në finale ndërsa nga ana tjetër, kampionët sezonal, Ponte Prizreni pas humbjes së parë do të mobilizohen që të japin maksimumin për ta barazuar serinë gjysmëfinale.
Për fituesit e ndeshjes së kaluar, më së shumti u dallua Brandon Walters me dyshifror të dyfishtë monstruoz prej 25 pikëve e 16 kërcimeve ndërsa për bardh e zinjtë nga Prizreni u dallua Divine “The Machine” Myles me 21 pikë e 10 asistime.
Ballafaqimet e para dhuruan spektakël dhe shumë emocione, e kështu pritet të ndodhë edhe të martën mbrëma.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.