Pas 28 xhirove të rregullta dhe raundit të parë të playoffit të përfunduar tashmë në Superligën e Basketbollit të Kosovës do të luhen ndeshjet gjysmëfinale, të cilat janë aq të zjarrta dhe interesante sa shihen edhe si finale para finales.
17:00 RAHOVECI - G.E YLLI ART SPORT 1 & KLAN KOSOVA
E diela super e pasur sportive në Artmotion dhe Klan Kosova pas derbit të futbollit që përplas Dritën dhe Prishtinën vazhdon edhe me ndeshjen hapëse të serisë gjysmëfinale në mes fqinjëve të Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit. Kjo ndeshje fillon nga ora 17:00 teksa transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport 1 dhe Klan Kosova.
Këto dy skuadra rivalizuan mes tyre gjatë gjithë edicionit të rregullt për ta siguruar atë pozitën e dytë që dërgoi në gjysmëfinale, pozitë kjo që u rrëmbye nga "Vreshtarët" që falë fitores në xhiron e fundit përballë Yllit siguruan një javë ekstra pushim ndërsa këta të fundit fillimisht u deshtë të eleminonin Bashkimin për të arritur në këtë fazë.
Përndryshe Ylli në çerekfinale djersiu, por fitoi me seri prej 2-1 ndaj prizrenasëve të KB Bashkimit.
Nga duelet direkte të këtij edicioni që kanë qenë katër në total, të gjitha fitore i kanë vendasit e Rahovecit të cilët do shpresojnë që këtë seri të mirë ta vazhdojnë edhe në "Mizahir Isma".
Rahoveci, 5-shja e mundshme startuese:
Davis, Morina, Daniel, Veseli, Qallaku
Ylli, 5-shja e mundshme startuese:
Clark, Bunjaku, Kastrati, Gill, Morant
20:15 PONTE PRIZRENI - PEJA ART SPORT 1
Ndeshja e dytë e natës, por asesi jo më pak e rëndësishmja do jetë ajo mes Ponte Prizrenit dhe Pejës. Dy nga skuadrat me organikën më të pasur dhe kualitative të lojtarëve këtë edicion takohen mes tyre në "Sezai Surroi", teksa do të synojnë ta nisin mbarë dhe me fitore serinë. Ky duel fillon nga ora 20:15 dhe transmetohet direkt në Art Sport 1.
Përderisa Ponte përfundoi sezonin e rregullt si lidere e kampionatit duke siguruar kështu pozitën direkt në gjysmë finale, të njejtin luks nuk e patën pejanët që fillimisht luftuan fortë dhe eleminuan Sigal Prishtinën me seri prej 2 fitore dhe 1 humbje para se të mbërrinin këtu.
Ndeshjen e parë direkte të sezonit e fitoi Peja teksa më pas tre fitore radhazi arritën skuadra e Ponte Prizrenit duke dominuar në tërësi duelet e ndërsjellta.
Ponte, 5-shja e mundshme startuese:
Myles, Hajdari, Taliaferro, Vaughn, Martin
Peja, 5-shja e mundshme startuese:
Walton, Berisha, Dandy, Shoshi, Walters
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.