Nuk mbahet në mend në këto 18 vjet që prej se ekziston shteti i Kosovës, që Gjykata Kushtetuese ka pasur aq shumë punë se sa në këto dy vitet e fundit.
Është e vërtetë që edhe në të kaluarën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është marrë me veprimet/ vendimet/ gabimet (në të shumtën e rasteve) të politikës kosovare, thënë më mirë të institucioneve të vendit.
Dy Presidentë të Kosovës dhe një Kryeministër/ Qeveri kanë humbur mandatet e tyre në vijim të Verdikteve të Gjykatës Kushtetuese.
Diçka e tillë është e pashembullt jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, në mbarë Evropën.
Pastaj, gjë që po ashtu vlen të theksohet këtu, këto vlerësime finale të kësaj Gjykate janë respektuar prej të gjithëve, edhe pse pasojat dhe dëmet politike kanë qenë të konsiderueshme për politikanë të lartë dhe për partitë politike.
Megjithatë, deri vjet, politika kosovare i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet kur diçka e tillë ka qenë e domosdoshme.
Prej 2025-tës, të thuash, për çdo hap që është ndërmarrë në skenën politike të vendit në procesin e formimit të pushtetit qendror, është kërkuar përfshirja e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo ka ndodhur para se të gjithash për shkak të mungesës së një dialogu të mirëfilltë politik në mes të liderëve dhe partive vendore, në kërkim të shtegdaljes nga problemet të cilat me të shpejtë merrnin trajtën e një krize kërcënuese politike për stabilitetin politik (dhe jo vetëm politik) të Kosovës.
Natyrisht, në të kundërtën, po të kishte pajtim dhe marrëveshje politike, nuk do të kishim nevojë fare për zgjedhje të reja parlamentare (të 28 dhjetorit të vitit të kaluar), apo, qysh prej vitit të shkuar do të kishim një qëndrueshmëri politike dhe institucionale të vendit.
Nuk do të merreshim përditë dhe përnatë me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, të cilat përndryshe, vështirë që do të ndryshojnë në mënyrë thelbësore ambientin politik në vend.
As zgjedhjet dhe as Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund dot të ofrojnë apo mundësojnë kulturë politike të bisedimeve dhe të marrëveshjeve, të cilat, në atë variantin e suksesshëm, do të shmangin votime të pafundme dhe involvimin e vazhdueshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Disa gjëra nuk janë për gjyq dhe as për zgjedhje. Apo, ato (gjyqet dhe zgjedhjet) nuk mund t’i mësojnë politikanët tonë se si duhet të flasin njëri me tjetrin dhe si duhet të merren vesh për krijimin e pushtetit qendror.
Në parim, këta politikanë dhe partitë e tyre do të duhej të kishin përgjegjësi politike dhe morale (veçmas në kontekstin historik të Kosovës, i cili ende është aktiv, nëse mund të thuhet kështu, kur dihet sa është ende historia gjallë këtupari), dhe natyrisht, edhe përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese, që Kosova ta ketë pushtetin qendror në të gjitha dimensionet e tij, përfshirë këtu edhe Presidentin e Kosovës.
Pra, politikanët e Kosovës kanë përgjegjësi politike, morale dhe kushtetuese, teksa në dy vitet e fundit, së paku bazuar në atë çka kemi parë dhe çka kemi dëgjuar, është shfaqur një deficit i madh, madje edhe i rrezikshëm i këtyre tri tipareve të cilat janë të domosdoshme në një skenë politike demokratike, çfarë padyshim është edhe kjo e jona, e Kosovës.
Por, në dy vitet e fundit të përplasjeve dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme politike, kemi qenë dëshmitarë të pritjeve të politikanëve tonë të cilat e pajisnin Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me përgjegjësi politike, morale, ligjore dhe kushtetuese.
Gjykatësit e saj, me detyrën dhe mandatin që e kanë, i detyrohen vetëm shkronjës dhe frymës së Kushtetutës dhe askujt tjetër.
Nuk mund të pritet, në të vërtetë, është madje gabim të mendohet kështu, që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka obligime politike dhe morale.
Këto obligime i takojnë politikanëve dhe vetëm atyre.
Gabimet e tyre në këtë aspekt nuk ka kush t’i përmirësojë, pos vet atyre.
Natyrisht, ky është një lajm i keq për të gjithë ne.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.