‘Çka prisni nga këto zgjedhje?’
Qytetarët, por edhe politikanët zihen në ‘pritë’ të gazetarëve si të dalin nga qendrat e votimit të shpërndara anekënd Kosovës, në kërkim të një përgjigjeje e cila pak a shumë, është e njëjta tash e 25 vjet që prej se ekziston demokracia parlamantare në Kosovë, edhe pse në ndërkohë shumëçka është përmbysur, si këtupari ashtu edhe në Botë.
Ama pyetja dhe përgjigja mbeten të njëjta.
E pra, qytetarët dhe politikanët priten, në përgjigjen e tyre t’i deklamojnë ‘vargjet’ e duhura në këtë rast: Presim zgjedhje të lira dhe demokratike, ndryshime për të mirë, përmirësimin e shërbimeve komunale, funksionim të infrastrukturës komunale, etj.etj.
E tëra mund të krahasohet me ato dëshirat e përvitshme në ndryshimin e motmoteve, kur në ato çastet e para pas mesnatës, i drejtohemi kamerës së gazetarëve me fjalët: ‘Paqe në Botë, shëndet për familjen, përparim të Kosovës në të gjitha drejtimet, status social më të avancuar për të gjithë...’.
Por Viti i ri është Vit i ri, e zgjedhjet janë zgjedhje. Apo, kështu duhet të thuhet.
Ta zëmë, në pyetjen që gazetarët kanë bërë këtë të diele, (9 nëntor), gjatë votimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve për postin e kryetarit të komunës, qytetarët kanë mundur të përgjigjen në mënyrën më të saktë duke thënë: ‘Pres fitoren e njërit prej dy kandidatëve në këtë raundin final të zgjedhjeve’, duke harruar me kast atë fjalimin e rëndomtë dhe gjithnjë e më të mërzitshme viteve të fundit.
Apo, ata qytetarë që me kujdes kanë përcjellë fushatën parazgjedhore të pretendentëve për postin e Qytetarit të parë në komunat e tyre, mund të thonë edhe kështu: ‘Pres përmbushjen e zotimeve të kandidatëve për kryetarë, ose dorëheqjen e tyre në rast që dështojnë t’i jetësojnë këto zotime’.
Në këtë kontekst, dikush mund të thotë që është mëkat që zgjedhjet lokale nuk mbahen më shpesh në Kosovë, ta zëmë një herë në dy vjet, sepse së paku në gjashtë muajt e fundit të mandatit të tyre, kryetarët e komunave do të punonin (ashtu siç edhe ia bëjnë zaten, në fund të mandatit katërvjeçar ama), ashtu siç kishin dhënë fjalën për gjithë mandatin.
Demokracia parlamentare në Kosovë ka pësuar ndryshime për të mirë në këto 25 vitet e kaluara. Këtë mund ta themi edhe me mburrje.
Në 15 vitet e fundit, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, zgjedhjet shfaqen të lira dhe fer. Edhe këtë të diele, pati shembuj për të mirë kur ata që pësuan disfatë në votimin final për postin e kryetarëve të komunave ia uruan të sapo zgjedhurve fitoren e tyre.
Nuk është tepri nëse konstatohet që Kosova është ekzemplar për të mirë në rajon kur bëhet fjalë për mënyrën se si mbahen zgjedhjet në te dy nivelet.
Por, kjo arritje duhet të mbahet edhe tash e tutje. Zaten, demokracia asnjëherë nuk është një arritje e sigurt dhe e qëndrueshme.
Ajo vështirë fitohet, për decenie të tëra (si në rastin tonë), por lehtë mund të dëmtohet.
Sidoqoftë, teksa janë evidente përmirësimet edhe kur bëhet fjalë për mënyrën se si shfaqet konkurrenca politike për garën për pushtet në të gjitha shkallët e tij, duket se ende ne të gjithë vazhdojmë të ndikohemi nga një patetikë verbale (të përmasave masive), nga ato kërkesat themelore që lidhen me vetë aktin e votimit (i cili shpeshherë shihet si një akt magjik), dhe nga zotimet e kandidatëve për postet kryesore të cilat objektivisht, nuk mund dot të përmbushen brenda një mandati katërvjeçarë, me buxhetet ekzistuese komunale.
Dikush këtu me të drejtë mund të reagojë dhe të thotë që ne, në këtë aspekt, nuk dallohemi shumë as nga demokracitë e përparuara perëndimore, ku gjithashtu ka premtime që nuk janë aspak reale.
Kjo është e vërtetë.
Sidoqoftë, ne, në këtë aspekt, duhet të merremi më shumë me veten, me gjendjen tonë reale dhe me synimet e arsyeshme për të sjellë një ndryshim kualitativ të jetës së qytetarëve të Kosovës.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.