Nji qytet nuk ngjallet prej zhurmës së nji koncerti në nji qoshe, as prej projekteve t’bame për ngut veç për me dalë n’foto e televizor. Nji qytet ngjallet prej zemrës së vet, prej qendrës së vet tregtare, aty ku gjaku ekonomik qarkullon n’krejt damarët e tij.
Gjakova e ka pasë këtë zemër. Tregun e Gjelbërt dhe rrjetin e rrugëve që e kanë lidhë me çdo lagje, çdo dyqan e çdo zejtar. U kon si trupi i njeriut, zemra n’qendër, arteriet që shpërndajnë gjak n’krejt trupin, dhe e bojnë me jetu. Sa herë ka rrah ajo zemër, çdo lagje merrte frymë, çdo biznes i vogël e ndjente pulsimin. E ka rrah çdo të hone, se aty kam jetu e jam rritë. Ka pas njerzë, ka pas gjallni, ka pas aromë jete.
Blerësi që ka ardh prej Qafës së Prushit e Qafë Morinës, prej fshatrave përreth, ka kalu nëpër Mahallë të Katolikve, Lamën e Druve, Çarshinë e Vjetër, deri te Tregu i Gjelbërt. Prej Izniqit e Piskotës, prej n’Bec e Qerim, apo prej rrugës së Prizrenit deri te Hotel Pashtriku... krejt rrugët kardinale të qytetit t'çojshin aty ku ka pulsu zemra ekonomike.
E sot? Ajo zemër osht shkulë prej gjoksit t’qytetit e osht decentralizu, si me e instalu në kambë. Gjaku ekonomik nuk qarkullon mo... ka mbetë i mpim, ndoshta dikujt i ka nejt mirë me e majtë larg, me xhepat plot e qytetin bosh ose se ka duru erën e djathit. Qarshia e Vjetër bashkë me rrugën lidhëse te Çarshia e Re janë kthy në nji muze të hapun të dështimit tregtar, infarkti që Gjakova e p'son çdo mandat.
Gjakova s’po vuan veç ekonomikisht, po p'son edhe ishmi kulturore.
Përveç që po bahen shumë festivale, që osht gja e mirë, por po du me u kap tek ai i fundit për të cilin kam vlerësim por edhe ma shumë kritika sidomos tek planifikimi strategjik i promovimit të qytetit. Festivali i “Ditëve të Shqiptarit” që po shitet si festë e krejt qytetit. Bukur me u kon kshtu! Por realiteti asht si me i dhonë oksigjen veç njonit krah të trupit e me thonë se po merr frymë i krejt. Koncertet “falas” janë me pagesë t’msheftë që d.m.th. ulesh në karriket e kafiterive rreth skenës e duhet me porosit patjetër diçka. Karriket bllokojnë shetitoren, e kush s’ka vend aty, ngelet jashtë loje.
Përfitimi ekonomik? Veç për pak biznese me fat lokacioni, ndërsa pjesa tjetër e gastronomëve e tregtarëve e shohin festivalin si bllokadë katërjavore. Promovimi i qytetit, hamomin e hyres! Aktivitetet mblidhen aty e te parku “Ali Podrimja”, sikur Gjakova s’ka Shkugëzë, Parkun e Gecave, Çabratin, Muzeun e Nënrexhepve e krejt tjerat hapësina që kishin mujt me e tregu taman atë shqiptari që po festohet.
Po tash duhete me e cek edhe projektin “Vizionimi i Çarshisë së Vjetër” ka synu me i lonë njerëzit me ecë lirë, me gjallnu zanatet, me promovu historinë e artin. Por në vend të ksaj, kemi skena t’mdhaja, zhurmë pa masë, turma që s’kanë lidhje me identitetin e Çarshisë dhe fokus të zhvendosun prej artizanëve te konsumi i birrës. Atmosfera autentike shuhet, kujtesa gërryhet, e trashëgimia kthehet veç n’fotografi.
Çarshia e Vjetër s’osht ndërtu për ngjarje masive... rrugë të ngushta, dalje të pakta, infrastrukturë historike e brishtë. Në rast naj zjarri a emergjence shëndetësore, ambulanca e zjarrfikësja e kanë gati të pamundun me hy. Pas koncerteve mbet berllogi, dëmtimi i objekteve nji faturë e pashkrueme që qyteti e paguan gjithmonë.
Nëse dojmë që Gjakova me marrë frymë si dikur, që çdo shpi me pasë bukë prej ekonomisë së vet, duhet me ia kthy zemrën në vend t'vetin. Tregu i Gjelbërt si qendër e centralizume tregtare nuk asht nostalgji, as ideologji, as luks, asht kusht për me mbijetu. Prej aty, gjaku ekonomik duhet me u shpërnda në çdo drejtim, në çdo lagje, në çdo biznes.
Pa këtë qendër, çdo projekt kulturor osht veç muzikë mbi nji trup të vdekun, dhe cilësia e kulturës gjithmonë ka me u kon peng i gjendjes ekonomike.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.