Ish-ambasadori Albert Prenkaj ka vlerësuar se marrëveshja 14-pikëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka lënë të pazgjidhura disa çështje thelbësore.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Prenkaj tha se marrëveshja po interpretohet ndryshe nga palët derisa secila pretendon se ka dalë fituese nga konflikti.
“Ka interpretime të ndryshme të marrëveshjes 14-pikëshe. Ka interpretim pozitiv sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është një qasje e presidentit Donald Trump se e fituan luftën. Në anën tjetër, po ashtu Irani pretendon se e ka fituar luftën”, deklaroi Prenkaj në Rubikon.
Sipas tij, një nga mangësitë kryesore të marrëveshjes është mungesa e një përcaktimi se si do të kalojnë tankerët e naftës në Ngushticën e Hormuzit.
“Një mangësi e marrëveshjes 14-pikëshe është se nuk përmendet në mënyrë eksplicite se si do të kalojnë tankerët me naftë, nëse do të paguhet taksë për Iranin apo kalimi do të jetë pa pagesë, siç ka qenë para luftës. Irani insiston që të ketë taksë”, tha ai.
Prenkaj shtoi se trafiku detar nuk është rikthyer në normalitet ende, duke theksuar se para luftës nëpër Ngushticën e Hormuzit kalonin rreth 100 tankerë në ditë, ndërsa pas marrëveshjes kalojnë vetëm rreth 30.
Ai përmendi edhe incidentet e fundit në zonë, përfshirë sulmin ndaj një anijeje të Singaporit dhe ndërhyrjen e SHBA-së. Sipas Prenkajt, sfida mbeten edhe në aspektin teknik dhe diplomatik, pasi vendet e rajonit kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën e organizimit të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Kemi edhe kërkesat e vendeve të tjera rreth Ngushticës së Hormuzit, si Omani, i cili së bashku me Organizatën Ndërkombëtare Detare ka propozuar një plan për kalim në pjesën jugore, por që nuk përkrahet nga Irani. Ka ende probleme edhe të natyrës teknike”, tha më tej Prenkaj. /Klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
SZ
SHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.