Njëra nga teoritë më interesante politike për Botën e pas-Luftës së Ftohtë, ka qenë ajo e Thomas Friedman-it, kolumnistit të njohur të gazetës prestigjoze ‘The New York Times’, dhe autorin e shumë librave publicistik.
Friedman deri te kjo teori pati mbërritur duke dyzuar bindjet e tij të njohura dhe këmbëngulëse, për Globalizmin si dukuri që do të mund të ndikojë në zgjidhjen e shumicës së problemeve politike dhe ekonomike, me një shembull konkret që i rinte mirë kësaj bindjeje të tij, apo, për më shumë, e forconte validitetin e saj.
Friedman pohonte që nuk është e njohur që dy shtete në të cilat ka rrjet të McDonaldsit, kanë hyrë në luftë.
Friedman, në këtë mënyrë, shfaqte qëndrimin e tij që aty ku mbërrinë McDonaldsi, dhe të gjitha ëmblemat e tjera të demokracisë liberale, arrinë edhe një racionalizëm ekonomik dhe politik, apo, qeveritë thjeshtë detyrohen, dashtë e pa dashtë, të merren me stabilitetin shoqëror dhe mirëqenien sociale.
Këtë mendim të Friedmanit, natyrisht, në një formë më gjithpërfshirëse, e patën përqafuar Amerika, Bashkimi Evropian, të gjitha shtetet e mëdha të Perëndimit.
Me atë parimin e njohur prijës ‘Sky is the limit’ (‘Qielli është kufi’, apo, thënë më mirë, nuk ka kufi fare), kryqendrat e Perëndimit menduan që Globalizmi do ta arrinë në Botë atë ‘Paqen e përjetshme’ (të Immanuel Kantit, filozofit të madh gjerman), që shkalla e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe e varëshmërisë së ndërsjellë në mes të Perëndimit dhe Lindjes (lexo: Rusisë dhe Kinës), do të jetë aq e madhe, sa logjika racionale ekonomike do t’i zhbëjë një herë e mirë politikën e rëndomtë, dhe relacionet tradicionale identitare politike.
Pse të mos jemi thuaja krejtësisht të varura nga gazi rus, nëse është interes jetik edhe i Rusisë që të ketë akces në tregun evropian?, thoshin deri dje politikanët dhe diplomatët e BE-së? Çka ka të keqe këtu?
Pse mos të kemi raporte aq të ngushta tregtare me Kinën, nëse produktet që i prodhojnë (apo i montojnë), në Kinë, janë më të lira se te ne, për shkak të fuqisë më të lirë punëtore?, shtonin këtu së bashku evropianët dhe amerikanët. Çka ka të keqe këtu?
Por ja që gjithçka ndryshoi në këtë aspekt që nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia e sulmoi Ukrainën, në një model veprimi që mendohej që ishte braktisur në Evropë madje që nga viti 1975, apo nga Samiti i parë i KSBE-së (Konferenca e Sigurisë dhe Bashkëpunimit Evropian), të mbajtur në Helsinki, e lëre më pas rënies së ‘Perdes së hekur’ që ndante Evropën në dy gjysma.
Së pari, ra në ujë Teoria e Thomas Friedman. Me agresionin e forcave ushtarake ruse, nisi lufta midis dy shteteve, ku në te dy dyjat kishte dhjetëra përfaqësi të McDonaldsit.
Së dyti, shumë vite më parë u mor vesh që prania e McDonaldsit, dhe e simboleve të tjera të demokracisë liberale, nuk ka domethënien e krijimit automatik të shoqërive demokratike dhe të insistimit tek mirëqenia sociale e qytetarëve të një shteti.
Së treti, dhe këtë e mësuan në atë variantin më të keq politik (prej gabimeve të veta, e jo prej gabimeve të të tjerëve), kryeqendrat perndimore kuptuan që sjellja racionale politike nuk është një epilog i pritshëm dhe i kuptueshëm tek shtetet e ndryshme, edhe kur ndërmarrja e një akti të njëanshëm (luftarak, si në rastin e Rusisë), dëmton rrënjësisht raportet politike, ekonomike, tregtare, në mes të shteteve të ndryshme të cilat tashmë i kanë vendosur lidhjet e varëshmërisë së madhe ekonomike.
Thënë ndryshe, ajo politika klasike si raport i forcave (të cilën qëmoti e ka shpjeguar Tukididi në ‘Luftën e Peleponezit’), dhe ajo politika e varur nga themelet identitare, është kthyer, mbase, më e fuqishme se kurrë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë (në vitet 1989-1991).
Në anën tjetër, është poaq evidente që Globalizmi si një ‘Model operativ’ në politikën dhe ekonominë ndërkombëtare, si një konfirmim i supremacisë së Perëndimit në Botë, i ka ‘la duart’, apo, nuk do të jetë më në fuqi.
Samiti i BRICS-it është një tjetër dëshmi për këtë fakt.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.