Një fluturim i Wizz Air me destinacion Athinën shmangu një aksident të mundshëm vetëm dy sekonda para se të mbaronte pista e ngritjes në Aeroportin e Lutonit, sipas një raporti të publikuar nga Air Accidents Investigation Branch (AAIB).
Incidenti ndodhi në prill të vitit të kaluar gjatë fluturimit 5411, i cili transportonte 162 pasagjerë, katër anëtarë të ekuipazhit dhe dy pilotë, raporton 'The Telegraph', transmeton Klankosova.tv
Hetimi zbuloi se pilotët nuk kishin verifikuar siç duhet parametrat kritikë të ngritjes (V-speeds) në kompjuterin e avionit, pas një ndryshimi të pikës së nisjes në pistë.
Për shkak të këtij gabimi, avioni përdori një fuqi më të ulët të motorëve sesa ishte e nevojshme për ngritjen nga një pjesë më e shkurtër e pistës.
Aeroplani u ngrit nga toka me vetëm 162 metra pistë të mbetur, ndërsa të dhënat e FlightRadar24 tregojnë se kjo ndodhi rreth dy sekonda përpara se të arrinte fundin e pistës.
Sipas AAIB, avioni kaloi mbi fundin e pistës në një lartësi prej vetëm 13 këmbësh (rreth 4 metrash), shumë më pak se minimumi i rekomanduar për sigurinë e fluturimit.
Hetuesit paralajmëruan se, nëse gjatë ngritjes do të kishte ndodhur një humbje e fuqisë së motorëve, ekzistonte rreziku që avioni të mos ndalej në kohë ose të mos arrinte lartësinë minimale të nevojshme për të shmangur pengesat.
AAIB përfundoi se gabimi u shkaktua nga mosfutja e saktë e parametrave të rinj të ngritjes pas ndryshimit të pikës së nisjes në pistë. /Klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
AH
SHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.