Shkarkimi i Ruben Amorim nuk rezultoi zgjidhja e pritur për problemet e Manchester United. Nën drejtimin e përkohshëm të Darren Fletcher, skuadra u eliminua nga FA Cup, duke u mposhtur 1-2 në shtëpi, një tjetër goditje për “djajtë e kuq”.
Pas ndeshjes, Fletcher pranoi se paraqitja e ekipit nuk ishte në nivelin e duhur. Sipas tij, United e nisi mirë takimin, por goli i pësuar ndikoi negativisht në ritmin dhe entuziazmin e lojtarëve. Ai theksoi se kishte kërkuar qarkullim më të shpejtë të topit dhe më shumë intensitet në lojë, jo thjesht kontroll të qetë të saj.
Trajneri i përkohshëm nënvizoi edhe mbështetjen e tifozëve, duke e cilësuar energjinë në stadium si shumë pozitive. Megjithatë, mungesa e golit të barazimit bëri diferencën. Fletcher shtoi se lojtarët janë të zhgënjyer, por duhet të reagojnë, pasi besimi mbetet një element kyç në futboll.
Në fund, ish-legjenda e United theksoi se gjithçka tani varet nga vetë skuadra. Ai beson se kjo përbërje ka ende cilësi për të arritur rezultate të mira këtë sezon, por vetëm nëse lojtarët bashkohen dhe japin maksimumin në çdo ndeshje. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.