Lajmet e fundit

SV Elversberg (SVE) i ka shkaktuar humbjen e dytë sezonale Hamburger SV (HSV) në Bundesligën e 2-të.
Para 9502 shikuesve, Davie Selke (minuta 6 dhe 83) i shënoi të dy golat për HSV. Për vendësit, dygolësh shënoi Fisnik Asllani i Kosovës (41 dhe 53), Luca Schnellbacher (63) dhe Robin Fellhauer (90+6).
Në minutat e fundit të ndeshjes, mysafirët mbetën pa një lojtar pas ndëshkimit me të kuq për Jonas Meffert, ndërsa edhe ndihmës trajneri Merlin Polzin pati të njëjtin fat, shkruan "Sueddeutsche", transmeton Klankosova.tv.
Skuadra e trajnerit të SVE, Horst Steffen, e nisi lojën me vetbesim, por u fut në telashe herët. Një krosim i parrezikshëm nga Jean-Luc Dompe u pengua nga portieri i Elversbergut, Nicolas Kristof, pikërisht para këmbëve të Selkes. Sulmuesit të Hamburgut iu desh vetëm ta fuste brenda topin.
Nikoqirët u këndellën shpejt pas disavantazhit të hershëm. Në minutën e 24-të, rastin e parë të mirë e pati Lukas Petkov. Goditja e tij për pak sa nuk e gjeti portën e Hamburgut. Asllani më pas doli më mirë, duke befasuar portierin e HSV-së, Daniel Heuer Fernandes.
Skuadrat shkuan baras në pjesën e dytë, ndërsa sulmuesit të kombëtares së Kosovës iu deshën vetëm 6 minuta që ta rikthejë skuadrën e tij në avantazh.
Trajneri i HSV-së, Steffen Baumgart u përpoq t'i kthente gjërat me një zëvendësim të trefishtë. Nuk arriti asgjë, pasi Schnellbacher arriti të dyfishonte epërsinë. Selke ndërkaq shënoi për të ngushtuar rezultatin në 3-2, por Fellhauer përmbylli gjithçka në minutat shtesë.
Gjashtë minuta para fishkëllimës së fundit, gjyqtari Robert Kampka përjashtoi Meffert, i cili veçse kishte një karton të verdhë, pas një faulli taktik. Pak më vonë, edhe ndihmësi i trajnerit të HSV-së, Polzin, u ndëshkua me të kuq.
Skuadra e Asllanit gjendet në pozitën e 6 me 16 pikë nga 10 xhiros, kurse HSV është në të katërtën me 18 pikë. /Klankosova.tv