Federata e Futbollit të Kosovës ka uruar përzemërisht FC Dritën për fitimin e titullit kampion në elitën e futbollit kosovar.
"Përgëzime për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit, tifozët ‘Intelektualët’, si dhe për të gjithë ata që qëndruan pranë skuadrës në çdo hap – nga betejat e vështira deri te fitoret vendimtare", thuhet në urimin e FFK-së, transmeton Klankosova.tv.
Titulli i katërt në historinë e këtij klubi vjen pas një pritjeje pesëvjeçare, teksa sigurimi i tij katër javë para përfundimit të kampionatit ishte dëshmi e qartë e dominimit dhe forcës së kësaj skuadre gjatë gjithë edicionit.
"Urojmë që FC Drita si kampione, por edhe FC Ballkani, FC Malisheva dhe FC Prishtina të kenë prezantim dinjitoz në Evropë dhe t’i dëshmojnë vlerat e futbollit tonë në garat evropiane. Urime e ju priftë e mbara!", thuhet tutje në reagimin e FFK-së.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.