Lajmet e fundit

Në hyrje të ekspozitës të krijohet përshtypja se po shfaqen veprat e disa artistëve me nam. Më pas në mes të galerisë ndodhet pllakati i cili njofton se pikturat janë punuar nga fëmijët.
Fatos Novakazi - asistent i menaxherit në projektin “Ekspozita e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara”, ka thënë për klankosova.tv se qëllimi i kësaj ekspozite nuk është bërja e biznesit, por stimulimi i fëmijëve që t’i përdorin aftësitë dhe talentet e tyre.
“Motivi i kësaj ekspozite ka qenë sensibilizimi i opinionit për talentin e fëmijëve me aftësi të kufizuara për fushën e pikturës si dhe inkurajimin e këtyre fëmijëve që edhe më tutje të vazhdojnë në këtë lami”.
Iniciator i "Ekspozita e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara" ka qenë organizata “Handicap Kosova” e cila është duke e implementuar këtë projekt me donacionin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ekspozita është hapur me 15 korrik të këtij viti në orën 11:00, në ceremoninë hapëse të të cilës kanë pjesë zyrtarë nga Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare, përfaqësues të organizatave joqeveritare të personave me aftësi të kufizuara si dhe mysafirë të tjerë.
Novakazi ka bërë me dije më tej për klankosova.tv se në ekspozitë po marrin pjesë fëmijë me aftësi të kufizuara nga tri qendra: Qendra Burimore Përparimi, Organizata joqeveritare HANDIKOS si dhe Shoqata e Fëmijëve me Autizëm.
“Këtu janë të ekspozuara 32 piktura nga 32 artistë. Deri tani janë shitur 12 piktura – natyrisht se punimet do të dorëzohen pas mbylljes së ekspozitës”.
“Fondacionet e mbledhura do të përdoren për t’iu ndihmuar fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe qendrave që punojnë me këta fëmijë. Çmimet e pikturave janë simbolike prej 10 deri në 20 euro. Nuk është qëllimi që ne të bëjmë biznes me këto piktura. Qëllimi është që fëmijët t’i stimulojmë që ata me punën e tyre të shohin se mund t’i ofrojnë shoqërisë diçka”.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 3 gusht.
klankosova.tv