Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhje gjatë ditës së sotme ku ka trajtuar disa çështje dhe ka miratuar disa vendime.
Bordi i FBK-së u njoftua për shkëputjen e kontratës së sponzorimit me kompaninë ETC, pas dështimit të negociatave për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë.
Bordi i FBK ka falënderuar ETC për bashkëpunimin e deritashëm duke e vlerësuar atë të dobishëm për të dyja palët.
FBK ka filluar bisedimet me sponsorë të rinj potencialë, të cilët do ta mbështesin veprimtarinë e FBK-së dhe me këtë do të përfitojnë nga emërtimi i ligave të seniorëve dhe benefitet tjera komerciale nga pakoja e sponzorimit.
Bordi pranoi dorëheqjen e Kryetarit të Këshillit Profesional, Bekim Maxhuni. Duke e falënderuar z. Maxhuni për kontributin e deritashëm, Bordi autorizoi Sekretarin Gjeneral që në bashkëpunim me Këshillin Profesional, të propozojë kandidatët potencialë për pozitën e zbrazur në Këshill Profesional.
Bordi u informua për skadimin e mandatit të Komisionit të Arbitrazhit. Bordi çmoi lartë punën e përbërjes së deritashme të Komisionit të Arbitrazhit. Bordi emëroi anëtarët e rinj të Komisionit të Arbitrazhit: z. Ilaz Ramajli, z. Artan Qerkini dhe z. Avdyl Lipoveci.
Në lidhje me përgatitjet për stinorin e ri basketbollistik 2015-2016, e pas shqyrtimit të rrethanave në basketbollin kosovar, bordi miratoi vendimet në vijim:
Bordi miratoi ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Sistematizimin dhe Licencimin e Klubeve të Basketbollit, Shkollave të Basketbollit dhe Subjekteve që Merren me Organizim të Basketbollit. Versionin e ri të kësaj rregulloreje mund ta gjeni të postuar në ueb-faqen e FBK-së nga dita e hënë. (
www.basketbolli.com).
Bordi vendosi që për pozitën e paplotësuar në Superligë të nxjerr ‘Wild card’ për të cilën do të mund të konkurrojnë të gjitha ekipet e paraqitura për garim në stinorin 2015/2016, deri më 04 shtator.
Afati i licencimit të klubeve, përfshirë edhe plotësimin e kushteve të licencimit, është deri më 7 shtator 2015.
Afati kalimtar për regjistrimin e lojtarëve për stinorin e ri është mes 7 dhe 21 shtator (në ora 17:00).
Superkupa e Kosovës mes Kampionit të Kosovës (KB Sigal Prishtina) dhe fitueses së Kupës së Kosovës për vitin 2014/2015 (KB Peja) do të organizohet më 27 shtator.
Stinori i ri basketbollistik 2015/2016 do të fillojë më 3/4 tetor 2015, ndërsa kalendari i garave është miratuar pas shqyrtimit të konsistencës me kalendarin e miratuar nga FIBA Europe.
Bordi vendosi që të gjithë trajnerët e angazhuar nga klubet e të gjitha kategorive dhe grupmoshave duhet të licencohen nga Shoqata e Trajnerëve/FBK, duke i përcaktuar edhe tarifat përkatëse të licencimit, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës.
Bordi shqyrtoi ndryshimet dhe plotësimet e Propozicioneve të Garave, versioni përfundimtar i së cilave do të miratohet sipas akteve normative të FBK-së jo më vonë se 15 ditë para fillimit të stinorit të ri, transmeton Klan Kosova.