Këtë anekdotë me siguri e dimë të gjithë. Për më shumë, ajo përdoret në të gjitha kontekstet e mundshme, për të konfirmuar praninë e një të vërtete e cila ende nuk ka marrë atë trajtën fare të qartë, por e cila assesi nuk mund të mohohet.
Një njeri e sheh karrigen e zbrazët në hyrje të shtëpisë, e cila tek ne është kumt i vdekjes së një anëtari të familjes dhe është ftesë për të pame dhe për ngushëllime.
Ai, i cili pak a shumë njihte anëtarët e kësaj familjeje që priste dashamirë që vinin për ta ndarë dhimbjen e humbjes me ta, hynë në odën e pritjes, përshëndetet me të zotit e të pamës dhe nisë të flasë: ‘A u mërzitet për Filanin...’. Ata ia kthejnë: ‘Jo more, Filani është në arë duke punuar...’. Ai pastaj vazhdoi: ‘Po mirë, Zoti ju lashtë shëndosh për Fistekun...’.
Ata vazhdojnë pastaj: ‘Jo, Fisteku është te çaji, tash na e sjell nga një...’.
Këtij pastaj i plasë barku (si thuhet), dhe iu drejtohet burrave të shtëpisë: ‘Këqyrni, dikush prej jush ka vdekur, se ndryshe nuk do ta kishit karrigen e zbrazët te dera e shtëpisë...’.
Mbase, nuk i rri gjë më mirë rrëfimit tonë më të ri politik se sa kjo anekdotë.
Ky kallëzim është faqja e zezë për zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat ndryshe, si rëndom tash e sa kohë, u shquan me organizim të mirë dhe me respektim të plotë të rezultateve të tyre prej të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në to.
Kemi pasur çka të krenohemi në këtë kontekst, deri para pak ditësh.
Por ja që plasi sherri i madh për manipulimin e votave brenda listave të kandidatëve për deputetë të partive të vendit, dikuri kjo që ka qenë e pranishme edhe më parë (të jemi të sinqertë), por jo në këtë formën brutale që njeh devijimin e rezultateve që matet me mijëra vota të qytetarëve të Kosovës.
Kjo sidomos u pa në rastin e komunës së Prizrenit.
KQZ pastaj, nëse i referohemi anekdotës fillestare të këtij shkrimi, e qiti karrigen në hyrje të saj, duke konstatuar në këtë mënyrë marren e madhe që na ndodhi.
Por, ende pa pyetur mirë KQZ se kush në të vërtetë është përgjegjës për këtë turp që njëmend i qet hije të zezë zgjedhjeve të dhjetorit, nisën të shfaqen politikanët e të gjitha niveleve, si dhe kandidatët e përfolur për tu bërë deputetë, duke mohuar që kanë të bëjnë fare me këtë punë.
Ai protagonisti i rrëfimit të më parmë, në këtë kontekstin e ri do të mund të shprehej në këtë mënyrë: ‘Këqyrni, dikush prej jush ka vjedhur vota, se ndryshe KQZ tashmë ka konstatuar që hajni ka pasur, edhe atë në përmasa të papara...’.
Kush po e thotë të vërtetën për këtë çka ka ndodhur gjatë numërimit të votave sipas formulave politike (dhe jo statistikore), me siguri do të kuptohet në ditët dhe javët në vijim, kur do të ndodhë ri-numërimi i plotë i votave të qytetarëve të Kosovës.
Kjo e vërtetë, gjithsesi, i duhet skenës politike kosovare goxha të kompromituar me gjithë këtë zhvillim, si dhe vetë qytetarëve të vendit, të cilët duan që vullneti i tyre të mos devijohet, apo, që të respektohet plotësisht.
Natyrisht, mësimi kryesor që del në sipërfaqe për të gjithë ne që në një mënyrë apo tjetrën jemi pjesë e procesit zgjedhor është që duhet gjetur mekanizma teknik të numërimit të votave të kandidatëve partiak për deputetë, të cilët do ta evitojnë, një herë e mirë atë ‘gabimin njerëzor’.
Një gjë e tillë mund të bëhet gjithsesi, me një çmim, gjithqysh më të ulët se sa ky turpi që ka një çmim marramendës, për të gjithë.
Po ashtu, edhe sipër këtij pësimi, ia vlen të mendohet seriozisht, e jo vetëm deklarativisht (siç ndodhë rëndom me ne), për Reformën zgjedhore kur bëhet fjalë për zgjedhjet e përgjithshme, sepse ato në nivelin lokal tashmë i kanë kaluar një mori testesh në dhjetëvjetëshit e kaluar.
I gjendet qarja kësaj pune pra. Pa pasur nevojë fare për ta qitur karrigen në hyrje të ‘Shtëpisë politike’ të Kosovës.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.