Ndeshjet e treta të çerekfinaleve të Euroleague, konfirmojnë atë çfarë ndodhi në takimet e para me Fenerbahce e Laboral Kutxa që i bashkohen CSKA-së së Moskës në finalen katërshe të Berlinit.
Turqit të frymëzuar nga italiani Datome mbyllin llogaritë me kampionët në fuqi të Relait të Madridit duke regjistruar në total suksesin 3-0.
Në sfidën e luajtur në Spanjë, skuadra e Obradovic dominoi gjatë pjesës së dytë, duke treguar siguri në mbrojtje, ndërsa Reali regjistroi vetëm 44 % të goditjeve të sakta për dy pikë.
Kur kishin mbetur edhe 4 minuta nga fundi, Kalinic e çoi rezultatin në +17. Kaq mjaftoi që Reali i Madridit të dorëzohej në shifrat finale 63-75 duke i dhënë lamtumirën kompeticionit më prestigjoz të basketbollit europian.
Ndërkohë, baskët e Laboral Kutxa u imponuan në transfertën e Athinës kundër Panathinaikos ku triumfuan 84-75 dhe u rikthyen në finale pas 8 viteve.
Vendimtare rezultoi perioda e katërt me Darius Adams që mori për dore skuadrën mike në suksesin ku i dha lamtumirën basketbollit edhe legjenda e Panathinaikos, Dimitris Diamantidis, i cili numëron 3 trofe të Euroleague në karrierën e tij.
Në momentin më të mirë të skuadrës greke kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 59-58 për Panathinaikos, baskët vendosën një avantazh prej 9 pikësh, duke i dhënë drejtim përfundimtar sfidës së tretë mes dy skuadrave në çerekfinale.
Në takimin e tretë të mbrëmjes, Barcelona arriti të hedhë një hap të madh drejt finales pasi triumfoi 82-70 ndaj Lokomotiv Kuban duke e çuar në 2-1 avantazhin e përgjithshëm.
Ndeshje autoritare nga ana e skuadrës katalanase që shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë, duke siguruar një match point pasi të enjten do të tentojnë të mbylli llogaritë për të prerë biletën e finales katërshe të Berlinit.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.