Pas Fenerbahces edhe CSKA e Moska siguroi matematikisht kualifikimin në ruandin e 8-të më të mirave të Euroleagues së basketbollit.
Në Moskë skuadra ruse u imponua me shifrat 90-78 përballë spanjollëve të Laboral Kutxas duke prerë kështu biletën për në fazën cerekfinale të këtij edicioni.
Me 8 fitore dhe 3 humbje pas 11 ndeshjeve të para në grupin F, CSKA-ja pozicionohet në vendin e parë duke lënë pas pikërisht Laboral Kutxan.
Për të mundur skuadrën baske, formacioni i drejtuar nga trajneri grek Itoudis u mbështet fuqishëm te loja e mirë e francezit Nando De Colo i cili ishte edhe basketbollisti më i mirë mbi parket për Cska-në e Moskës me 19 pikë 3 asiste dhe 4 rebound.
Ashtu si në futboll edhe në basketboll në El Clasico ligjin e bën Barcelona. Skuadra blaugrana hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit pasi triumfoi në shtëpi përballë kampionëve në fuqi të Realit të Madridit me shifrat 72-65.
Heroi për formacionin e drejtuar nga trajneri Xavier Pasqual, në suksesin ndaj Los Blancos ishte basketbollisti grek Perperoglou me 20 pikë dhe 6 rebound.
Një fitore me peshë në grupin F, regjistruan edhe gjermanët e Brose Baskets që mundën në shtëpi rusët e Khimky-it me shifrat 84-79 për meritë edhe të amerikanit Wanamaker që koleksionoi në total 25 pikë 5 asiste dhe 7 rebound. Pavarsisht se është matematikisht e kualifikuar për në fazën play-off, Fenerbahce Ulker nuk di të ndalet në Euroleaguen e basketbollit.
Në Stamboll skuadra e trajnerit Obradovic fitoi edhe derbin turk përballë Darrusaffakas me rezultatin 77-69 dhe tashmë numëron 10 fitore në 11 takime në grupin E.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Panathiankos mposhti në Athinë rusët e Lokomotiv Kuban 84-79, dhe tashmë ka shanse të mira për të siguruar kualifikimin në cerekfinale.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.