Çfarë llahtari të shohësh një ëndërr të tillë! Vallë s’janë ëndrrat ikje nga realiteti? S’janë ato streha e dëshirave tona të parealizuara në botën e vërtetë? Të shohësh një ëndërr ku çbëhesh, ku çje - a s’është ky kulmi i depresionit? Ky depresion i thellë tashmë i ka modifikuar ëndrrat dhe ato kanë marrë një trajtë të tillë morbide, vdekje-dashuruese. Edhe ëndrrat kanë kaluar në anën e armikut.
Billie Eilish është sensacioni më i ri i popit. Kisha dëgjuar që ka një stil të pazakontë por tepër influencues – veshje të gjera e flokë ngjyrëndezura. Kisha dëgjuar zërin e saj melankolik, dhe se më vëllanë e saj kishin formuar një dyshe të lavdërueshme muzikale dhe tekst-shkruese. E dija që nuk ishte pop flluskë, por asgjë më të detajshme. Prej saj e dija vetëm atë hitin
Bad Guy, që m’u duk kompozim dhe qasje e veçantë në muzikë; kryengritëse në tekst por jo edhe monumentale. U futa në Youtube, lëshova këngën e saj që e kishte mposhtur atë të Dua Lipës në kategorinë e Incizimit më të Mirë në Çmimet Grammy, për të parë se çka ishte puna e kësaj kënge.
Pashë një ëndërr
Kisha gjithçka që doja.
Një tekst-shkruese 17 vjeçe na josh drejt një kurthi të paragjykimit. I sigurt që – në qoftë hip hop modern, atëherë e ka fjalën që ka gjithçka që do – famë, para, vëmendje, zdërhallje hedoniste. Nëse e ka fjalën për ndonjë dashuriçkë – atëherë e ka fjalën për partnerin e saj prania e të cilit mund të jetë gjithçka që ajo do. Meh, klishe.
Pashë një ëndërr
Kisha gjithçka që doja…
Por jo ajo që po mendon:
Dhe nëse po tregohem e sinqertë
Ka mundur të ketë qenë ankth.
Për këdo që mund t’ia ndiej.
Mendoja që mund të fluturoja
Andaj u lëshova nga Goldeni (ura)
BAM!
Plathiane.
E ka fjalën për vetëvrasjen; çlirimin – Paskësh parë një ëndërr ku kishte gjithçka që donte – hiçin. Në një agoni të depresionit mosqenia na u bëka posedim.
Me të më ardhur ky realizim, pësoj shok:
- Çfarë llahtari të shohësh një ëndërr të tillë! Vallë s’janë ëndrrat ikje nga realiteti? S’janë ato streha e dëshirave tona të parealizuara në botën e vërtetë? Të shohësh një ëndërr ku çbëhesh, ku çje - a s’është ky kulmi i depresionit? Ky depresion i thellë tashmë i ka modifikuar ëndrrat dhe ato kanë marrë një trajtë të tillë morbide, vdekje-dashuruese. Edhe ëndrrat kanë kaluar në anën e armikut.
- Çfarë mjeshtërie artistike për ta përdorur një fjali si ‘kisha gjithçka çfarë doja’ - që gjithmonë presupozohet të përdoret në kuptimin më lartësues pozitiv e mburravec të së pasurit - për krejt të kundërtën: për zhdukjen, për vetëvrasjen, për të mosqenit – për të mospasurit.
Kur futet në të njëzetat, depresioni dikujt i bëhet komshi nëse jo familjar, mirëpo është shastisje të shohësh depresionin aq të konsoliduar në zemrën e një vajze 17 vjeçe. Është mallkim mendjeje të mprehtë por stëremotive që në moshë kaq të njomë të kesh një pasqyrë të qartë të kësaj sëmundjeje – t’ia njohësh mënyrat e mynxyrat se si të tkurrë shpresat – se si t’i shtrëngon muskujt e të bëhet gjithnjë e më e rrallë qeshja dhe gjithnjë e më histerike edhe kur ngjet. Të kërkosh të migrosh aty ku të ka migruar serotonina: në Mosqeniestan.
Nejse, kënga më pas adapton një stil gjenerik dhe vjen e bëhet më e zbehtë në kuptim, por assesi sa ta zbehë goditjen e hyrjes e cila vazhdon të mbajë ty të trullosur…orë pasi të ketë mbaruar kënga.
Pashë një ëndërr
Kisha gjithçka që doja.
Por kur zgjohem të shoh
Ty afër meje.
Ajo kishte një ëndërr ku kishte atë donte – pra, edhe njëherë, hiçin. Por kur zgjohet sheh praninë e një njeriu të dashur që po tenton ta bartë përtej rrugëve të flakëruara nga vuajtjet. Këtu është pika e fundit që e bën këtë këngë të veçantë para se pjesa e dytë e teksti t’i marrë përdorimet e figurshme që zakonisht aplikohen kur flitet për depresionin. Eilish ringjitet optimiste me praninë e dashurisë së njeriut pranë saj; zgjohet nga ëndrra ku kishte gjithçka që donte POR e sheh veten pranë dikujt të dashur e që lë të kuptohet që ai as që bën pjesë në
gjithçka që ajo donte. Fuqia e depresionit duket se e ka nokautuar atë të dashurisë. Eilish kah fundi e bën tekstin dykahësh duke e lënë të interpretohet ndryshe nga optimistët dhe pesimistët; flas për pesimistët të cilët njoftohen me pafuqinë e dashurisë ballë versionit më të pafalshëm të depresionit. Kuraja dhe mbështetja e tyre del vetëm zgjatje a mpirje deri në momentin e krizës së radhës, dhe vdekja mbetet dëshirë.
Është zotësi të sjellësh aq shumësi brenda kufijve të njohur të popit. Një këngë pop të më shtyjë të mendoj aq shumë? Nuk e di nëse po ndryshoj unë, apo popi.
https://www.youtube.com/watch?v=O4IblBA5MxI&t=707s