Personazhi më i spikatur i letrave shqipe, shkrimtari i njohur shqiptar Dritëro Agolli, duket se nuk po gëzon shëndet të mirë.
Kështu të paktën duket në një dedikim të bërë nga vet vajza e tij Elona Agolli, që lë të nënkuptojë se ai po kalon ditë të vështira për shkak të gjendjes së rëndë të tij shëndetësore, njofton Klan Kosova.
Në një status të publikuar në rrjetin social facebook, vajza e një prej figurave më qëndrore të poezisë shqipe, ka thënë se babai i saj po lufton me errësirën, ndonëse ''ai e urren atë''.
Elona veç tjerash ka shtuar dhe disa vargje prekëse kushtuar Dritëro Agollit duke thënë: ''Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jipja për ty''.
Për më shumë ja dhe dedikimi i plotë:
''Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse. Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lotë, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jipja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja. Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im'' ka përfunduar Elona, mesazhin e saj prekës për të atin, shkrimtarin Dritëro Agolli, njofton Klan Kosova.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.