Kampioni në fuqi Trepça e ka mposhtur Sigal Prishtinën në shtëpi.
Epërsia e mitrovicasve në fund të ndeshjes në Pallatin e Rinisë dhe Sportit ishte plot 13 pikë.
"Xehëtarët" triumfuan me rezultat 68 me 81.
Ndeshja e transmetuar në kanalin Sport 1 të platformës më të madhe televizive në vend Artmotion, dhuroi një spektakël mjaft të bukur, një lojë mjaft energjike nga dyja palët, por mysafirët sonte treguan superioritet në parket.
Në superderbin e javës së 11-të, mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, ku me një seri 0:13 nga 6:3 kaluan në epërsi 6:16, derisa e fituan çerekun e parë 13:22.
Vendasit barazuan shifrat në 28:28 në periudhën e dytë, por ‘Xehetarët’ sërish u shkëputën, për të shkuar në pushim me rezultat 33:41.
Sigal Prishtina e nisi fuqishëm pjesën e dytë, për të barazuar rezultatin në 41:41, megjithatë, kampionët nuk lejuan përmbysjen, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 54:57.
Në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtar, Trepça tregoi forcën dhe u shkëput, për të triumfuar 68:81.
Te "bardhekaltrit" u dalluan Qua Grant me 27 pikë e gjashtë kërcime dhe Daniel Lekndreaj me 15 pikë e tetë kërcime, ndërsa te mitrovicasit u dalluan Mikaile Tmusiq me 19 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, Samuel Hunter me 16 pikë e katër kërcime dhe Desmond Cambridge me 17 pikë e shtatë kërcime.
Sigal Prishtina ka gjashtë fitore e katër humbje, kurse Trepça është e para me nëntë fitore e dy humbje.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.