“Rezonanca e fytyrës” e artistit kosovar Bekim Dyla është ekspozita që do të hapet sonte nga ora 19:00, në qendrën kulturore TULLA në Tiranë, një ekspozitë kjo multimediale që përfshin piktura, vizatime dhe tinguj.
Dyla eksploron fytyrën njerëzore si një hapësirë transformimi, një sipërfaqe ku identiteti përçahet, riformohet dhe zbulon emocione të fshehura. Figurativisht, ai kërkon ato gjurmë që mbeten pas tronditjeve, termeteve emocionale të cilat mbërrijnë pa paralajmërim që lënë fragmente të cilat e ndërtojnë rezonancën e fytyrës.
Brenda këtyre tronditjeve, portretet e gjalla dhe psikologjikisht të ngarkuara të Dylës të banuara nga qenie groteske, na përballin me gjallërinë e gjendjes njerëzore.
Në një epokë të dominuar nga imazhet e filtruar dhe shfaqjet sipërfaqësore, Dyla e rikthen fytyrën si vend të së vërtetës - ku ndjenja, brishtësia dhe prania shfaqen me ndershmëri të plotë. Çdo portret kap nuanca të çastit, intensitete të qeta që flasin përtej fjalës e përtej heshtjes.
Në këtë ekspozitë, piktura dhe tingulli ndërtojnë një urë arkitektonike mes perceptimit dhe emocionit, duke rezonuar përmes shqisave dhe duke na bashkuar në njerëzoren e përbashkët.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur nga 30.10. - 22.11.2025./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.