Ekspozita personale e artistit Kemil Bekteshi, e titulluar “I avashtë dhe i pandalshëm”, kuruar nga Bojan Stojçiq, do të hapet sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa.
Në këtë ekspozitë artisti merr tharmin si pikënisje për të reflektuar mbi punën, migrimin dhe qëndrueshmërinë. Ky reflektim buron nga një vend thellësisht personal: babai i tij, Ruzmir Bekteshi, bukëpjekës, puna e të cilit ka mundësuar rrugëtimin artistik të Kemilit. Përmes veprës së tij, Kemili i jep zë të atit, dhe përmes tij, të gjithë atyre që me punën e tyre të padukshme krijojnë kushtet për art dhe mbijetesë. Të rrënjosura në histori personale, veprat e ekspozitës e drejtojnë vështrimin drejt kushteve të punës së kosovarëve të shpërndarë në Perëndim– jo si stereotip, por si punëtorë, si artistë, si individë që jetojnë në mes të dy botëve.
“I avashtë dhe i pandalshëm” prezanton një seri instalacionesh në proces, të realizuara nga struktura çeliku, nga të cilat brumi rritet ngadalë, në heshtje. Rreth skulpturave janë Hartat 001—004, vizatime në mur të disa hartave gjysmë-abstrakte, që Kemili i ka prodhuar bazuar në qytetet ku ka punuar së fundmi, Berlin, Sarajevë, Lubjanë, New York, gjithmonë duke shkuar drejt Perëndimit.
Këto vepra flasin për migrimin, transformimin dhe fermentimin si metafora e metodologji të jetesës. Instalacionet e Kemilit e nxjerrin në dritë procesin e ngadaltë e të akumuluar që formëson jetën në diasporë: këmbënguljen ndër breza, kujdesin dhe qëndrueshmërinë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 14 shtator, 2025, në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.