Ekrem Maloku, është neuropatologu i parë kosovar, që ushtron detyrën e tij si neuropatolog në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, profesion ky që në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri ende nuk ushtrohet.
Andaj Maloku ka vendosur që punën e tij ta sjellë edhe në Kosovë në bashkëpunim me disa kolegë vendorë, njofton Klankosova.tv.
“Jemi në fazën e përmbylljes së punëve ku bashkë me disa kolegë që janë këtu, jemi grumbullu dhe unë jam udhëheqësi i atij grupi, kemi me kriju një qendër diagnostiko, tash do të fillojë gjatë tetorit, dhe qëllimi është me i integru të gjitha këto fusha bashkë edhe pjesën klinike edhe laboratorike dhe pacienti mundet me i marrë këto në Kosovë e jo me dalë jashtë vendit”, ka thënë Maloku në intervistën e dhënë për “Ora shtatë” në Klan Kosova.
Ai ka thënë se është në kontakt edhe me Ministrinë e Shëndetësisë e ku e kanë formuar një grup dhe ka shprehur gatishmërinë që disa prej këtyre serviseve që nuk ekzistojnë sot, të aktivizohen edhe në Kosovë.
Ekrem Maloku ka përfunduar studimet në Kosovë, në fund të vitit 2001. Ai ka qenë edhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, por për shkak të ambicieve të larta që kishte, vazhdoi rrugëtimin e tij të karrierës në ShBA.
“Filluan ato përballjet e para të vështirësisë, kur ke ma shumë ambicie me bo më shumë se ato që ke përreth. Në bazë të gjetjeve të mia dhe rekomandimeve që i kom pasë prej mentorëve të mi, vendosa me iu bashkëngjit një grupi shkencor në Çikago. Aty kam punu për disa vite ku jam marrë me hulumtime bazike neuropsikiatrike”, është shprehur Maloku.
Por sipas tij punësimi si mjek në ShBA, nuk ishte i lehtë pasi i është dashur edhe një herë t’i përfundojë studimet në mjekësi në mënyrë që të mund ta ushtrojë këtë profesion.
“Më është dashur ta ekuivalentoj diplomën e mjekut, me përfundu edhe njëherë mjekësinë në ShBA, për me mujtë me pasë kontakt me pacientët, dhe ta praktikosh punën e mjekut në ShBA, gjitha provimet me i kalu edhe njëherë. Në këtë mënyrë e fiton të drejtën më konkurru në specializim”.
Ai ka thënë se ushtron një punë me përgjegjësi të madhe.
“Pesha ma e madhe e punës sonë është fakti se gjithë i kanë sytë kah patologët. Në qoftë se paraqitet një proces patologjik ne tru, mjeku që e ka parë pacientin për herë të parë dyshon diçka dhe vendos me kalu ma tutje me ekzaminime shtesë i bën rezonancë magnetike por ende nuk e di sigurt çka është. Mjeku në shumë raste vendos me i ba biopi me pa cila është diagnoza, dhe në këtë mënyrë nëse është diçka tumorale na ia japim këtë diagnozë onkologut dhe onkologu pa mendimin tonë nuk mundet me bo kurrgjë, sepse është terapia specifike për atë ngjarje të caktime”, ka thënë Maloku
“Shpeshherë përderisa pacienti është i shtrirë në tavolinën e operimit, neurokirurgët me të cilët ne jemi të lidhur ngushtë secili i integrojmë dijet tona për me sjellë diagnozë të sigurt për pacinetin, neurokirurgu e kërkon prej nesh diagnozën preliminare brenda 20 minutash. Largohet një pjesë e indit pastaj ne e analizojmë atë pjesë të indit, dhe nëse është tomor i themi që është tumor, dhe ata pasaj i jep mundësi atij me menaxhu situatën me trajtu operacionin”, ka shpjeguar neuropatologu.
Ai ka shpjeguar se përballet edhe me situata të vështira kur te fëmijët kur bahen biopsitë dhe duhet të raportohet për diagnozë jo të këndshme.
https://www.youtube.com/watch?v=KzIAvxfp6uc
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.