Gjykata Sportive e Shoqatës Gjermane të Futbollit (DFB) ka gjobitur klubin Eintracht Frankfurt me 440 mijë e 250 euro për 11 incidente të tifozëve, njoftoi DFB.
Sipas vendimit, dënimi mbulon dhjetë raste të sjelljeve josportive dhe një rast sjelljeje diskriminuese nga tifozët e Frankfurtit, të cilat ndodhën në shtatë ndeshje të Bundesligës dhe një ndeshje të Kupës. Kryesisht, incidentet përfshinin përdorimin e pishtarëve dhe pajisjeve të tjera piroteknike.
Klubi ka mundësinë të shfrytëzojë deri në 146 mijë e 500 euro nga kjo gjobë për të përmirësuar masat e sigurisë, infrastrukturën ose programet për parandalimin e dhunës. Të gjitha këto masa duhet të dokumentohen dhe të dorëzohen në DFB deri më 30 shtator të këtij viti.
Aktualisht, Eintracht Frankfurt renditet i 8-ti në Bundesligë me 31 pikë, 29 më pak se lideri Bayern München dhe 11 më shumë se zona e rënies nga kategoria.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.