Rrugëtimi i Kosovës përmes njohjeve nga shtetet është forma më e vështirë e rrugëtimit për anëtarësim në OKB. Nuk është e thënë që një shtet të ketë numër specifik të njohjeve, megjithatë një aplikim i suksesshëm kërkon një shumicë prej dy të tretash votash nga Asambleja e Përgjithshme dhe miratim nga Këshilli i Sigurimit.
Me njohjen nga Siria, Kosova ka 120 njohje individuale, por a ka arritur numër solid për të filluar planifikimin për aplikim për anëtarësim në OKB?
Mund të tingëllojë si hap i ngutshëm dhe jo serioz, duke e ditur pozitën e palakmueshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por rrugëtimi i vështirë i Kosovës ka për qëllim futjen në kuadër të kornizës së të drejtës ndërkombëtare.
Njohjet e Kosovës pa dyshim janë rrugëtim i përbashkët-koordinim me shtetet aleate siç janë njohjet e fundit Kenia, Sudani dhe sot Siria.
Njohja nga Siria është përfolur tash një kohë, me një informacion se fillimisht njohja është kërkuar nga nivel i ulët shtetëror/diplomatik.
Pas lobimit të vendeve mike të Kosovës në margjina të takimit vjetor të OKB-së në New York, përfaqësimi i Sirisë ishte nga vendet në fokus.
Tash mund të spekulohet se cilat vende mike kanë ndikuar te autoritetet e Sirisë për ta njohur Kosovën?
Zhvillimet e reja të çlirimit të Sirisë nga diktatura e udhëhequr nga Asadi, janë rezultat i angazhimit të Turqisë, me bekimin e ShBA-së, andaj me këtë logjikë mund të thuhet se si në rastin e Sudanit, Turqia mund të jetë sponsor i njohjes së fundit.
Një spekulim tjetër interesant është se kësaj radhe njohja nga Siria ka ndodhur duke iu falënderuar Mbretërisë së Arabisë Saudite e cila organizoi edicionin e nëntë të Future Investment Initiative (FII) e cila mblodhi një asamble globale të liderëve me ndikim, duke përfshirë krerët e shteteve, zyrtarët qeveritarë, drejtorët ekzekutivë, investitorët dhe inovatorët. Më shumë se 8,000 pjesëmarrës dhe mbi 600 folës morën pjesë në këtë aktivitet. Një platformë ideale në margjinat e së cilës mund të bëhej publike një njohje e radhës së Kosovës.
Niveli më i lartë i përfaqësimit shtetëror të dy shteteve, Kosovë dhe Siri prezentë në këtë forum, ishte mundësi e artë e shpalljes së njohjes.
Në sfond të njohjeve të fundit të Kosovës qëndron interesi i argumentimit dhe kthimit në fokus apo në hartën politike të Evropës.
Njohjet e reja janë sinjal serioz në disa drejtime.
Fillimisht Kosova me institucione të konsoliduara pas krizës politike dhe institucionale, me njohje të reja del e konsoliduar edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Njohjet e reja e forcojnë pozicionin e Kosovës poashtu në tavolinën e negociatave të lehtësuara nga Brukseli. Njohjet janë pra sinjal që i përcillet Brukselit në disa drejtime: 1. lehtësim i negociatave, 2. dialogu në prizmin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, 3. heqja e sanksioneve, 4. lirimi i mjeteve financiare nga Plani i Rritjes.
Dhe në fund, njohjet e reja si kjo e Sirisë, e forcojnë argumentin e shtetësisë sui generis të Kosovës karshi aksit jo perëndimor që do të donin ta përdornin argumentin e Kosovës si “shtet i dështuar” apo precedent.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.