Në Kino Armata, sot dhe nesër mbahet edicioni i dytë i ngjarjes unike dyditore, ku prezantohet talenti i brezit të ri të kineastëve nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës. Këtë edicion, "Frames of the Future" bëhet ngjarje garuese. Audienca do të ketë mundësinë të votojë për filmin më të mirë të studentëve, dhe filmi fitues futet direkt në garën për filmin më të mirë të shkurtër në edicionin e 18-të të PriFest, që do të mbahet në shtator 2026.
Në ditën e parë, hapja e këtij edicioni do të bëhet nga drejtori i PriFest, Fatos Berisha, dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri dhe Ismet Sijarina, Shef i katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit. Pas kësaj do të shfaqen filmat e studentëve të Fakultetit të Arteve. Pas secilit film do të mbahen fjalë rasti nga ekipet e filmave dhe do të ketë sesione Open Q&A (pyetje dhe përgjigje të hapura).
Në ditën e dytë shfaqen filmat garues të studentëve, e më pas do të shfaqen edhe filmat e veçantë të prodhuar nga Prishtina Kino Kabaret. Këta të fundit janë bashkëprodhim i PriFest dhe Katror Media dhe janë jashtë garës, projekte kreative të realizuara brenda një jave gjatë eventit Prishtina Kino Kabaret. Filmat do të realizohen nën mentorimin e Valter Lucaj.
Pas shfaqjes së filmave do të ketë bisedë me Fatos Berishën me temën “NGA APLIKIMI NË PËRZGJEDHJE”, ku drejtori i PriFest do të flasë për rëndësinë e festivaleve, procesin e aplikimit dhe mundësitë që ofrojnë festivalet ndërkombëtare për studentët e filmit. Në fund do të shpallet filmi fitues i audiencës, filmi i parë zyrtar i edicionit të 18-të të PriFest./Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.