Edicioni i 6-të i festivalit Peja Jazz, nis sonte dhe do të zgjasë deri më 26 tetor 2025, për të bashkuar edhe një herë komunitetin artdashës, në katër mbrëmje dhe katër performanca, nga artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që eksplorojnë nuancat e ndryshme të muzikës jazz.
Në këto data për çdo mbrëmje prej orës 20:00, festivali Peja Jazz mirëpret dashamirët e muzikës jazz, për të eksploruar magjinë e këtij zhanri, dhe për të kujtuar prezencën dhe madhështinë që dikur muzika kishte për komunitetin lokal dhe nostalgjinë që plot e ndjejnë për një të kaluarën.
Katër mbrëmje me muzikë jazz, sivjet do të bashkojnë publikun në kinemanë e qytetit, “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Me muzikantë të skenës vendore dhe ndërkombëtare, nuancat e jazz-it do të paraqiten nga Ilir Bajri, Visar Kuçi, Vlashent Sata, Adrien Brandeis, Rina Kaçinari, Orwa Saleh e “Mahari Trio”.
Peja Jazz, sonte nis me Ilir Bajri TRIO | Introspective, për të vazhduar me mbrëmjen e dytë ku në skenë ngjitet pianisti francez, Adrien Brandeis, që bashkon jazz-in evropian me ritmet latine.
Natën e tretë në Peja Jazz do të performojnë Rina Kaçinari dhe Orwa Saleh, dyshja e tingujve të veçantë, që bashkojnë vizionet e tyre muzikore në një format të ri.
Fundjava do të përmbyllet me një performancë të veçantë nga pianisti Vlashent Sata dhe “Mahari Trio”, treshja e përbërë nga Francesco Leo në tastierë, Daniele Raciti në kitarë dhe Federico Gucciardo./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.