Për të gjithë opinionin basketbolldashës në vendin tonë, emisioni i vetëm dedikuar tërësisht basketbollit, ASISTI vjen me episodin numër 504, që transmetohet të hënën me fillim nga ora 21:00 në Sport 1 dhe pas mesnate në Klan Kosova, teksa sjell shumë të reja interesante si intervista ekskluzive me Edon Maxhunin, që ka bërë hap të madh në karrierë, duke u transferuar në Bundesligë dhe pensionimi i ikonës së basketbollit femëror në vendin tonë, Valbona Bytyqit.
Javën që lamë pas në vendin tonë u shpërndanë dy trofe me skuadrën e Trepçës te meshkujt, që fitoi Superkupën Mbarëkombëtare, duke mposhtur në finale Tiranën, kurse Bashkimi te femrat fitoi Superkupën e Kosovës në këtë konkurrencë, duke u kurorëzuar si kampione, pasi fitoi ndaj Penzës, ish-skuadrës së fundit të Valbona Bytyqit, që para fillimit të ndeshjes u nderua me një ceremoni kushtuar karrierës së saj, teksa do të jetë vetë Valbona që në ASIST do të na tregojë rreth vendimit për t’i dhënë fund basketbollit të luajtur dhe se çfarë plane ka për të ardhmen.

Për të diskutuar në lidhje me sukseset e Trepçës e Bashkimit në ndeshjet finale dhe gjithçka që ka ndodhur në basketbollin tonë gjatë javës që lamë pas, të ftuar në studio janë: Arbnore Përquku – fituese e Superkupës së Femrave dhe MVP e finales, Valdrin Haxhiu – kapiten i Trepçës dhe Drilon Hajrizi – ikonë e basketbollit në vendin tonë.
- A ishte dallimi mes Trepçës dhe Tiranës shumë i madh në ndeshjen finale?
- Çfarë ndjenje ishte për Arbnore Përqukun të shpallet MVP e finales, pasi luajti me triple-double?
- Ku ishte problemi i Trepçës në ndeshjen e humbur gjatë vikendit kundër Pejës?
- Kush është skuadra favorite në sezonin e ri të Superligës së Femrave, sipas Valbona Bytyqit?
Këto dhe shumëçka tjetër duke përfshirë intervistën ekskluzive të Edon Maxhunit rreth transferimit tek Crailsheim Merlins, paraqitjet që pati ai dhe deklaratën e drejtorit sportive të klubit gjerman mund t’i mësoni në ASISTIN 504, që vjen duke filluar nga ora 21:00 në Sport 1 dhe pas mesnate në Klan Kosova, teksa sigurisht si çdoherë tjetër nuk mungojnë edhe tregimet për ndeshjet e Prince Caffe Superligës, ndeshjet kualifikuese në FIBA Europe Cup, 5-shja dhe MVP i javës që lamë pas si dhe top 10 aksionet!
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.