Java e pestë në Viva Fresh Ligën e Parë do të fillojë këtë të premte me dy ndeshje shumë interesante.
Në kuadër të Grupit A dy skuadrat që nuk dinë për humbje në katër ndeshjet e para, Onix dhe A&N, do të ballafaqohen në Brestovik të Pejës.
Teksa në grupin B dy skuadrat që nuk dinë ende për fitore këtë sezon, Arbëria dhe Ferizaj, do të kërkojnë tri pikët e para në stadiumin e qytetit të Shtimes.
Dy ndeshjet fillojnë nga ora 15:00 dhe transmetohen drejtpërdrejt në Art Motion.
15:00 Onix – A&N ART SPORT 1
Ballafaqimi nga grupi A, Onix dhe A&N, do të hapë xhiron e pestë në Viva Fresh Ligën e Parë.
Në Brestovik të Pejës, Onixi që nuk di për humbje këtë start të kampionatit do të sfidohet nga A&N që po ashtu ka treguar paraqitje solide duke mos pësuar asnjë humbje.
Onixi për momentin renditet në vendin e tretë me një fitore dhe tre barazime duke grumbulluar gjashtë pikë, teksa të njëjtat shifra i ka edhe A&N që renditet në vendin e katërt.
Në komentim të kësaj ndeshje do të jetë Arbon Flugaj.
15:00 Arbëria - Ferizaj ART SPORT 2
Ndeshja e dytë e ditës së premte do të zhvillohet në qytetin e Shtimes. Të rënit nga Superliga, Arbëria, pasi shkarkuan trajnerin Jeton Thaqi kërkojnë tri pikët e para me ish-trajnerin e Ferizajt, Megzon Visokën.
Deri më tani skuadra nga fshati Dobrajë e Madhe ka arritur dy barazime dhe dy humbje duke u renditur në vendin e fundit me vetëm dy pikë.
Nga ana tjetër, Ferizaj udhëton në këtë ndeshje me trajnerin e ri Arbnor Morina.
Vitin e kaluar Morina ishte trajner i Arbërisë në Superligë, ndërsa në këtë ndeshje kundër Arbërisë do të kërkojë fitoren e parë për Ferizaj në këtë sezon.
Në komentim të kësaj ndeshje do të jetë Engjëll Bërbatovci.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.