Në Prishtinë ka një orë të ditës kur qyteti i ndërron fytyrat pa e pranu që po e bën. Rreth orës 17:00, kur muzgu bie mbi xhamat e qendrave tregtare dhe asfaltin e lagur dhe me pak lloq të Fushë Kosovës, dritat duken sikur kanë karakter. Disa drita janë të qeta, të bardha, të sigurta, drita që s’kanë nevojë me u arsyetu. Disa të tjera janë dritë nervoze, dritë që vjen me krismë motori, me erë nafte, dritë që ta kujton se stabiliteti këtu është shpesh improvizim.
Në skajin e një parcele industriale, një gjenerator qëndron si kafshë e lidhun me zinxhir. Nuk është i bukur. Është praktik. I gërvishtun. Me një kapak metali që rrin pak si i vjerrun. Dhe megjithatë, ai është objekti më i sinqertë i këtij sektori, sepse nuk premton asgjë. Vetëm bën zhurmë dhe e kthen naftën në dritë.
Arbeni, pronar i një fabrike, e prek levën e atij gjeneratori si me e prek pulsin e një pacienti. Arbeni s’ka shumë fjalë për energjinë. Ai s’i thotë “treg i hapur”, i thotë “a po vjen rryma”. Ai s’i thotë “balancim”, i thotë “a po më del nafta për orarin e reduktimeve”. Dhe kur e pyet pse e mban gjeneratorin edhe kur s’ka reduktime, ai të shikon me atë durim të njerëzve që e kanë humb luksin me u çudit. “Nëse e fik, e humb ritmin. Nëse e humb ritmin, e humb klientin. Nëse e humb klientin, e mbyll.”
Në një botë normale, rryma është sfond. Në Kosovë, rryma është personazh kryesor, por i shkruar keq, sepse personazhi kryesor këtu nuk e duron përgjegjësinë. Ai e duron vetëm “sqarimin”. Kosova është “shteti me sqarime”, diagnoza që kthehet si refren, kurdo që dikush pyet “pse”.
Këtë e ndien sidomos kur një numër i vetëm ia ndryshon tonin një vendi. Një ditë të fillimit të vitit 2026, nëpër media qarkullon një shifër që tingëllon si gabim shtypi, por rri aty si gozhdë: deri 800 euro për MWh për kapacitetet ndërkufitare, pra “taksa” që e lejon rrymën me e kalu kufirin. Ky raportim lidhet me dyshime për sjellje të dyshimta në ankandet e rrymës, ku përmenden si palë NOA Energy Trade dhe Elektroprivreda Srbije (EPS).
Rryma, në Kosovë, e ka ra një rol të veçantë: me e mësu shtetin me folë pa e marrë përgjegjësinë. Me e kthy çdo krizë në një fjali neutrale. Me e bo secilin gabim “devijim”. Me e bo secilin dëm “ndikim”. Me e bo secilin dyshim keqpërdorimi “material informues”. Arsyetimi që të përcjell kudo, si erë gjeneratori në jakne pune është shteti me sqarime.
Për Arbenin, “ankand” është diçka që i ndodh dikujt tjetër. Ai nuk shet energji, ai shet produkt. Por ai e kupton instinktivisht një rregull të vjetër, që në Kosovë tingëllon edhe më mizorisht: kur dikush fiton pa prodhu, dikush tjetër humb duke prodhu.
Pastaj vjen momenti kosovar! Për çdo numër që të rrëzon, vjen një fjali që ta qetëson pa ta shpjegu. KOSTT, në një sqarim publik, thotë se dokumenti që u përmend në media është dokument pune, pra dokument informues, i hartuar brenda mandatit të KOSTT-it për me e mbështetë ZRrE-në, dhe se “nuk nxjerr konkluzione” për manipulim të çmimeve apo të tregut.
Sedativi i Kosovës s’është heshtja, sedativi i Kosovës është arsyetimi, terminologjia. S’po thonë “s’ka fajtor”, po thonë “pa konkluzione”. Dhe kur s’ka konkluzione, s’ka kush me e marrë përgjegjësinë sot. E kjo nuk është neutralitet. Është vetëmbrojtje institucionale. Nesër, kur të vjen fatura, prapë është “proces”.
Në këtë moment, e sheh qartë goditjen, jo si dramë e madhe, po si mekanizëm i vogël që përsëritet. Është një zinxhir i thjeshtë, që e vret industrinë dhe Kosovën pa britmë:
Kur kapaciteti energjetik shitet si mall nga një organizim duopoli, çmimi fryhet.
Kur çmimi fryhet, importi bëhet borxh.
Kur importi bëhet borxh, tarifa e rritur bëhet e ardhmja.
Kur tarifa e rritur bëhet e ardhmja, fabrika bëhet e kaluara.
Kjo është logjika e traumës, e ftohtë, e pastër, pa nevojë për metaforë. Dhe brenda saj, shteti me sqarime, ankesa e arsyetime e gjen gjithmonë një vend ku me e shpërnda fajin derisa të harrohet nga scrolli i rradhës.
Në periferi të qytetit, familja Halimi e bën një llogari tjetër. Ata nuk flasin për ankande, as për kapacitete ndërkufitare. Ata flasin për dimër. Flasin për faturë. Flasin për subvencion. Subvencioni, në Kosovë, është bërë pjesë e dekorit, jo si politikë e përkohshme, po si mënyrë me e kalu muajin. Dhe kjo është tragjedia e vogël e përditshme, që duket humane, por e fsheh dështimin: shteti nuk e shëron sëmundjen, shteti e paguan simptomën.
Diku në letra, gjithçka duket sterile. Deri sa e sheh si akt mjeko-ligjor.
ZRrE, në një dokument zyrtar të rregullimit vjetor, e vendos me shifra hendekun, kostoja e parashikuar mesatare e importit për 2024 ishte 97.79 EUR/MWh, kostoja e realizuar mesatare e ponderuar, që përfshin importin dhe kapacitetet e transmetimit, ishte 181.34 EUR/MWh, dhe diferenca për t’u mbuluar në tarifat e ardhshme ishte €47.37 milionë.
Në janar 2026, KOSTT paralajmëron se nominimet e pamjaftueshme të KESCO-s krijuan dis-balanca të vazhdueshme që në orë të caktuara kalojnë mbi 200 MW, duke rrezikuar masa ndëshkuese dhe vetë marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.
Dhe, në mes të këtyre, mbetet ai numri që tingëllon si krim i bërë me stilolaps, deri në 800 euro për MWh vetëm për “me e kalu kufirin” e rrymës.
Pastaj, menjëherë pas numrave, kthehesh te njerëzit. Se këtu është e vërteta, jo te excel-at, po te jeta.
Në Prishtinë, në ora 17:00, Arbeni e dëgjon gjeneratorin e vet si një lloj muzike që s’duhet me ekzistu, një zhurmë që e ka zëvendësu sigurinë. Ai e sheh qendrën tregtare të ndezur dhe e ndien një lloj inati të qetë, jo ndaj dritës, po ndaj hierarkisë së dritave. Sepse ka një hierarki që askush s’e pranon me zë, por krejt e jetojnë: dritat e konsumit janë “normalitet”, dritat e prodhimit janë “problem”.
Kjo është pika ku vjen kthesa morale, ajo që ish dasht me ba lexuesin me u ndal.
Na jemi mësu me mendu që problemi është reduktimi. Që drama është nata pa rrymë, frigoriferi që shkrin, fëmija që s’mëson. Po reduktimi është vetëm kollitje. Sëmundja është më e thellë: një sistem që e trajton energjinë si PR, industrinë si dëm anësor, dhe çdo krizë si komunikatë për shtyp.
Arbenit i është thënë që është në treg të hapur, treg të liberalizuar. “Liberalizimi” tingëllon si koncept evropian, po te na përkthehet si: shteti iku. Në teori, treg i lirë do të thotë konkurrencë. Në Kosovë, duopol i organizuar.
Arbeni s’ka kohë me u bë ekspert i HUPX-it, as i ankandeve të SEECAO-s, as i fjalorit të “dis-balancave”. Ai ka kohë vetëm me i mbajtë njerëzit në punë dhe me i dorëzu porositë. Kur rryma i bëhet e pa-parashikueshme, biznesi s’dëmtohet vetëm prej çmimit, dëmtohet prej kaosit. Kaosi i merr klientët pa e pyet.
Këtë e kupton edhe familja Halimi., por në formë tjetër. Për ta, kaosi s’është fjalë, kaosi është frikë. S’kanë gjenerator. Kanë qirinj. Kanë një dhomë ku mblidhen më afër për me u ngroh. Kanë një fjali që përsëritet, “hajt se kryhet edhe kjo”. Dhe këtu, shteti me sqarime vjen me një tjetër komunikatë, me një tjetër skemë, me një tjetër “karamele”. Për një dimër, kjo mundet me i shpëtu. Për një dekadë, kjo i mëson me pritë, jo me kërku.
“TIME OF DEATH”, në këtë autopsi s’është një natë e errët. Është një datë kur shteti rrezikon me u quajt problem në rrjetin evropian, jo për shkak të ndonjë stuhie, po për shkak të një hendeku mes nominimit dhe konsumit real. 13 dhe 14 janar 2026, kur flitet për devijime mbi 200 MW dhe rrezikim të marrëveshjes ndërkombëtare me ENTSO-E.
E megjithatë, edhe këtu, sistemi e gjen mënyrën me mos e pranu plotësisht. Me thanë “reduktime sipas nevojës”. Me thanë “masa për stabilizim”. Me e mbajtë fjalinë neutrale. Me e ruajtë institucionin prej fajit, edhe kur e dëmton vendin prej pasojës.
Ora 17:00, muzgu bie prapë. Qendrat tregtare duken si fotografi të një vendi tjetër. Zona industriale mban erë naftë. Arbeni s’po e fik gjeneratorin. Jo pse do, po pse s’guxon. Sepse e ka mësu një logjikë që i ka hy nën lëkurë: me qenë i sigurt, duhet me qenë vetë shtet, vetë operator, vetë rezervë.
Kjo është “dhuna e qetë” e sistemit tonë energjetik. Jo nata pa rrymë, po dita me rrymë të shtrenjtë, të paqartë, të deleguar, ku askush s’është fajtor, por krejt paguajnë.
Pastaj e mbyll qesen.
Neoni i qendrës tregtare reflektohet në asfaltin e lagur, si gjithë pak lloq, përballë një dere fabrike të mbyllur me zinxhir, dhe mbi të, dy fatura, një e rrymës, tjetra e nafte së gjeneratorit ende të ngrohtë.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.