Skuadra kampione e Kosovës, FC Drita, ka mbërritur në Finlandë për të shkruar historinë në debutimin e saj në fazën e grupeve të UEFA Conference League, ku të enjten do të përballet me KuPS nga ora 18:45.
Të dyja skuadrat vijnë për herë të parë në këtë fazë të një gare evropiane.
KuPS, kampion i Finlandës për vitin 2024, pasi nuk arriti të kalojë kualifikueset e Champions dhe Europa League, tani synon një ecuri pozitive në Ligën e Konferencës. Finlandezët janë në formë të mirë dhe konsiderohen favoritë në këtë përballje, raporton Klankosova.tv.
Kryetrajneri Zekirija Ramadani, në konferencën para ndeshjes, tha se FC DRITA tashmë është familjarizuar me lojërat e Evropës.
“E para, për të arritur rezultat duhet të bësh futboll të mirë. Ne e dimë se çfarë kemi bërë për të arritur deri këtu, nuk është një punë e lehtë, një punë mjaftë e vështirë, një motiv shtesë se jemi për herë të parë në fazën e grupeve si dhe ekipi kundërshtar... një gjë dua ta them shumë sinqerisht: ditën që jemi kualifiku në grupe ka qenë me shumë impuls, me shumë emocion”, u shpreh Ramadani në konferencën para ndeshjes.
Ai tha se ekipi nuk duhet të kënaqet me vetëm faktin që ka arritur deri në këtë fazë, ndonëse tha se edhe kjo është një arritje historike.
“Por ne mundemi dhe duhemi dhe kemi obligim moral dhe profesional që mos të jemi të kënaqur dhe gjithmonë të japim më tepër për të arritur suksese tjera”, u shpreh Ramadani.
Nga ana tjetër, Drita e Zekirija Ramadanit siguroi pjesëmarrjen historike pas triumfit ndaj Differdange 03 në play-off, ndërsa në Superligën e Kosovës nuk ka qenë aq stabile këtë fillim të sezoni, me vetëm 2 fitore në 6 ndeshjet e fundit.
Megjithatë, “Intelektualët” kanë shenja ringjalljeje pas dy fitoreve në tri duelet e fundit, ndërsa shpresojnë të befasojnë në Finlandë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.