Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka folur pas suksesit historik të klubit duke u kualifikuar në fazën e grupeve në Conference League.
Zymberi tha se ky sukses pas asnjë diskutim është një prej realizimit të ëndrrave të tyre dhe realizimit të përkushtimit shumëvjeçar që e kanë pasur.
“Më në fund, një shpërblim i krejt mundit dhe sakrificës që e kemi bërë të gjithë pa dallim, një shpërblim edhe për familjarët tanë që këto sakrifica dhe vuajtje i kanë ndje bashkë me ne, andaj mese i plotësuar më shumë se kurrë”.
“Mendoj që krejt familjarët tanë që na kanë përcjellur përmes Artmotion, besoj që kanë qenë në emocionet e njëjta, pasi ashtu si e ndjejnë presionin edhe dëshirën për fitore edhe futbollistët edhe ne, janë edhe familjarët tanë të implikuar thellë në këtë ndjenjë”, tha Zymberi për drejtorin e sportit në Artmotion, Arlind Sadiku, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Zymberi i uroi të gjithë “Intelektualët” për të cilët tha se i kanë mbështetur në këtë rrugëtim, por tha se i falënderon edhe kritikët e Dritës.
“Faleminderit dhe urime të gjithë atyre që na kanë kritikuar, por sonte është nata kur unë jam i përmbushur si drejtor dhe si punonjës i Dritës. Edhe nëse arrijmë ndonjë gjë më të madhe në futboll, ky është momenti më i rëndësishëm i jetës sime”.
“Është mese i qartë objektivi ynë, nuk duhet të lëshohemi në eufori, s’ia kemi qitë fundin futbollit, por për nivelin tonë, mënyrën si funksionojmë, kushtet që i kemi dhe cdo ekip që jemi ballafaquar në Evropë i ka kushtet më të mira, mendoj që nuk duhet të lëshohemi në eufori dhe duhet të marrim mësim nga i gjithë ky cikël”, tha Zymberi, njofton Klankosova.tv.
Zymberi më tej u shpreh se është e rëndësishme për Dritën që të mos lëshohen në eufori dhe se duhet të jenë të kujdesshëm dhe me këmbë në tokë.
“E rëndësishme shumë që mos të lëshohemi në eufori dhe të mirëmenaxhojmë qoftë me aspektin financiar dhe aspektin e futbollistëve. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi me këmbë në tokë”.
“Shumicën e këtyre të ardhurave që i kemi siguruar sonte, janë për futbollistët. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve do të jenë premi për futbollistët dhe më shumë se gjysma e mjeteve të shpërndahet te stafi dhe futbollistët”, tha ai.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.