Lajmet e fundit

Një mijë e 61 nxënës nuk mund të marrin ndihmë psikologjike brenda objekteve të shkollës.
Katër shkollat e mesme të Rahovecit, nuk kanë asnjë psikolog shkollor të punësuar, për dallim nga shkollat fillore të qytetit që kanë 5 gjithsej.
Se sa është nevoja për një terapist të tillë, tregon vetë nxënësi i vitit të dytë në Shkollën e Mesme të Lartë “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe, Raif Duraku.
Duraku, i cili njëherësh është edhe Kryetar i Këshillit të Nxënësve, flet ndër të tjerash edhe për problemet që ka brenda kësaj shkolle.
Ndonëse mund të duken të vogla në sipërfaqe, shpejt mund të thellohen dhe të bëhen probleme serioze sipas kryetarit.
Në anën tjetër, drejtori i shkollës, Mahmut Duraku, tha për Kiks Kosovën që pavarësisht që shkolla që ai drejton ka mbi 100 nxënës, prapëseprapë, edhe këta fëmijë kanë të drejtë për psikolog.
Atëherë kur nxënësit e kësaj shkolle kanë probleme që nuk mund t’i zgjidhin vetë, dyert e vetme që ata trokasin janë të mësimdhënësve dhe i drejtorit.
Përveç “Ukshin Hotit”, edhe shkolla tjetër e mesme e Rahovecit, “Xhelal Hajda-Toni”, ka mungesë të psikologut.
Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Remzije Cana, kërkesa e tyre vazhdimisht ka qenë për angazhimin e një profesionisti të tillë, por që diçka në këtë drejtim ende nuk është ndërmarrë.
Në rastet kur duhet ofruar ndihmë psikologjike për nxënësit e saj, Cana thotë që e bën vetë ajo dhe mësimdhënësit tjerë, ndonëse thotë se askush nuk mund ta zë vendin e psikologut.
Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në artikujt e mëposhtëm.
https://klankosova.tv/alarm-ne-shkolla-shume-nxenes-pak-psikologe-video33/
https://klankosova.tv/300-nxenesit-e-carrallukes-pa-psikolog-shkollor-video33/
https://klankosova.tv/pse-ska-mjaftueshem-psikologe-neper-shkolla-flasin-njohesit-video33/