Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me Albi Mall, ka ndarë çmimin “Ylli i Javës” për javën e 15-të, i cili këtë herë i ka takuar mbrojtësit të FC Prishtina e Re, Donat Hasanaj.
Hasanaj u vlerësua për paraqitjen e tij të shkëlqyer në fitoren 4:1 ndaj FC Prishtina, ku përveç ndërhyrjeve të sakta, ai shënoi edhe një gol vendimtar për skuadrën, njofton Klankosova.tv.
Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Fatmir Mehmeti, Agim Maliqi dhe Muhamet Sylejmani, e cilësoi mbrojtësin si futbollistin më të dalluar të javës në Superligë.
Pas marrjes së çmimit, Hasanaj u shpreh i kënaqur me vlerësimin, duke theksuar vështirësitë e duelit dhe ndryshimet e shumta në bankinën e skuadrës.
“Kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë kundër FC Prishtina, të cilët kryesojnë tabelën, por edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen kundër tyre shumë mirë. Është e vërtetë që kemi pasur shumë ndryshime, duke na u ndërruar në 15 xhiro tre trajnerë, por atmosfera momentale është shumë e mirë në skuadër. Si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor, kemi luajtur shumë mirë dhe e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj bashkëlojtarët për kontributin, që unë ta marr këtë çmim sot”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.