E mërkura do jetë fantastike për të gjithë adhuruesit e basketbollit dhe sportit në përgjithësi në vendin tonë, kjo sepse në këtë ditë të shënuar fillon Final 8 - Kupa e Kosovës.
Drejtpërdrejt nga palestra ikonike ''Karagaqi'' në Pejë, shikuesit e platformës numër një në vend mund të përcjellin 3 duelet e para të kësaj gare.
Këtë herë, më ndryshe se zakonisht Artmotion i realizon dhe transmeton ndeshjet në mënyrën më spektakolare të mundshme teksa sjellë kamerat e aksionit të ngjitura në kosh dhe kamerën speciale që do montohet në tavanin e palestrës.
Fillimisht, spektakli nis në ora 14:00 me duelin gjysmëfinal të femrave në mes KBF Bashkimit dhe KBF Penzës, dy skuadra këto që synojnë fitoren për të luajtur në finalen e së dieles kundër KBF Prishtinës.
Pas kësaj përballje, me start nga ora 17:00 ndeshen mes tyre dy rivalë të mëdhenjë si Trepça dhe Rahoveci, për të cilët besojeni ose jo kjo do jetë hera e tretë rresht që duelojnë mes tyre në çerekfinale.
Nga ora 19:30 do të jetë edhe ceremonia e madhe hapëse e Final 8 - Kupës së Kosovës që këtë edicion zhvillohet në nder të Agim Llukës, ish-presidentit të parë historik të KB Pejës.
Krejt për fund, kjo ditë e parë e festivalit katër ditor të basketbollit mbyllet me klasikën mes dy skuadrave më të trofeshme të basketbollit tonë, Peja - Sigal Prishtina.
Në komentim të ndeshjeve do jenë: Agon Fehmiu, Arbon Flugaj dhe Engjëll Bërbatovci, të cilët do mbulojnë në tërësi këtë mrekulli basketbollistike duke sjellur edhe deklaratat dhe intervistat e protagonistëve në kohë reale.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.