Pas tre netëve fantastike të organizimit të Kupës së Kosovës në basketboll, edicionit 2022, që u emërua në nder të ish-presidentit të KB Pejës Agim Llukës, ka ardhur koha të zhvillohen ndeshjet finale.
Sot (e diel) në plan-program janë tre duele që përcaktojnë fituesit e Kupës së Kosovës nga Liga e Parë, Superliga e Femrave dhe Artmotion Superliga.
Ndeshja e parë zhvillohet nga ora 12:00 dhe është finalja e skuadrave nga Liga e Parë mes Istogut dhe New Basketit, e cila komentohet nga Engjëll Bërbatovci.
Me fillim nga ora 15:00 nën komentimin e Arbon Flugajt vjen finalja e konkurrencës së femrave në mes Bashkimit dhe Prishtinës, e cila pritet të jetë shumë interesante ndërsa ajo që pason është ndeshja kryesore që merr vëmendjen e të gjithëve.
Duke startuar nga ora 18:00 direkt në Art Sport 1 dhe Klan Kosova me komentimin e Agon Fehmiut, finalja e madhe e turneut mes Trepçës dhe Bashkimit, dy skuadrave që kanë befasuar dhe mposhtur kundërshtarët në çerek dhe gjysmëfinale.
Trepça futet në ndeshje si favorite, por Bashkimi deri më tani ka eliminuar dy favoritë të tjerë andaj edhe i ka shancet e saj në këtë duel të vështirë.
●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.