Lajmet e fundit

Në mungesë të një reagimi nga Ministria e Kulturës, për dhunën e drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Culi ndaj gazetarit Eni Shehu, shoqatat e gazetarëve kanë reaguar sërish.
Përmes një deklarate të përbashkët Lidhja e Gazetareve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve, Shoqata e Mediave Elektronike dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë thonë se do të bojkotojnë Ministrinë e Kulturës.
Nëse nuk do të ketë asnjë reagim, ata kanë paralajmëruar një protestë përballë kryeministrisë. Lexoni më poshtë reagimin e plotë:
Bojkot ministrisë së Kulturës në shenjë proteste për dhunën ndaj gazetarit
Ndonëse po bëhet një javë nga ngjarja e shëmtuar ku drejtori i Teatrit Kombëtar sulmoi fizikisht një gazetar gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nuk ka shfaqur asnjë shenjë interesimi ndaj shqetësimit të katër organizatave më të mëdha të gazetarëve në vend.
Jo vetëm kaq, por ministria përcolli në mënyrë arrogante një kërkesë të shoqatave për një takim mbi këtë çështje, duke e shtyrë pa arsye këtë ballafaqim.
Në këto pesë ditë pas aktit të dhunshëm, ministrja e Kulturës asnjëherë nuk shprehu shqetësim dhe nuk kërkoi të informohet nga vetë gazetari i dhunuar për ngjarjen e rëndë. Ministria e Kulturës po tenton ta kalojë në heshtje këtë çështje, duke e konsideruar karriken e një drejtori më të rëndësishme se lirinë e shprehjes dhe duke manifestuar kështu një pandjeshmëri ekstreme ndaj aktit rrugaçëror të një drejtori të saj.
Ne nuk i dimë arsyes e mosveprimit të ministres së Kulturës, por i kujtojmë asaj dhe kryeministrit Rama se dikur janë shkarkuar edhe ministra që kanë goditur apo agresuar gazetarët.
Në shenjë proteste dhe duke përsëritur kërkesën e shoqatave tona për shkarkimin e menjëjershëm të drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i bëjmë thirrje mediave dhe kolegëve gazetarë të bojkotojnë të gjithë veprimtaritë e ministrisë së Kulturës, duke filluar nga dita e sotme.
Deri tani, protestën e shoqatave e kanë mbështetur Tv Klan, Neës 24, Abc News, Ora News, ndërkohë që solidarizimi vazhdon.
Nëse edhe pas këtij hapi, përsëri nuk do të gjejmë reflektim nga ministrja e Kulturës dhe kryeministri, do të ftojmë gazetarët për një protestë përpara ministrisë./ lapsi.al