Mëngjesin e së hënës kisha ndenjur zgjuar duke mos gjetur një transmetim të qasshëm falas në internet të ceremonisë së çmimeve Grammy. Më duhej t’i rifreskoja nis-e-sos faqet që jepnin në kohë reale emrat e fituesve nëpër kategori. Mes gjashtë nominimeve që kishte marrë Dua Lipa ishin edhe në dy kategoritë kryesore: Albumi dhe Incizimi më i mirë.
Problemi me këto çmime është që edhe pse e di që janë të pavlefshme, nuk ke se si të mos biesh shpesh pre e namit dhe bujës që sjellin kur dikush i fiton; njëjtë dhe me Oskarët. Ç’i duhej Lipës tek e fundit një shpërblim i tillë kur tashmë albumi i saj kishte hyrë në javën e tretë të së qenit albumi më i shkarkuar në botë në Spotify? Ajo e kishte dashurinë e atyre që duhej ta kishte: publikut. Por Lipa, jo si kushdo, e gëzon dashurinë edhe të masës, edhe të kritikës; vlerësimet e kritikës për albumin e saj të dytë ishin gati qiellore. Katër nga pesë yje prej
The Guardian; po aq nga
Rolling Stone; 88 nga 100 pikë prej
Metacritic. Po varja, se ka jetë edhe pa kritikët.
Albumi i saj i dytë,
Nostalgji e së ardhmes, u rendit i pesti më i shkarkuari i vitit 2020 në Spotify. Ta dimë, konsumi masiv nuk është medoemos shënjues i diçkaje me vlerë, por e tregon që krijimi i dikujt ka arritur të depërtojë në interesin e tyre, ka hyrë në shtëpitë e tyre, në kufjet e tyre, në palestrat ku ushtrojnë, në qendrat e pazarit të cilat i frekuentojnë; dhe këtë e ka arritur Dua Lipa tash e gati pesë vjet.
Tash u kthehemi sërish çmimeve Grammy. Për mua, albumi më i arrirë pop - si dhe favorit - ishte padyshim ai i The Weeknd-it,
Orët pas pune, por që për befasinë e shumicës as që mori ndonjë nominim. Nga ajo ditë e shpalljes së nominimeve - kur The Weeknd nuk përbënte më 'kërcënim' - kisha një shpresë të madhe që Dua do ta rrëmbente çmimin tejet të lakmueshëm të albumit më të mirë, pse jo edhe të incizimit më të mirë. Por ja që ato u morën nga Taylor Swift dhe Billie Eilish, mirëpo Lipa - e cila dy vjet më parë ishte shpallur artistja më e mirë e re nga Grammys - arriti që këtë herë të fitonte për albumin më të mirë pop.
Mbeta i pikëlluar kur ajo humbi në dy kategoritë kryesore, por kur u zgjova të nesërmen dhe pashë që impaktin më të madh në publik e kishte pasur klipi i performancës së saj në ceremoni, m’u kujtua se çfarë ka rëndësi në fund të ditës. Popi është kryesisht muzikë kohe dhe jo muzikë e të gjitha kohërave; muzikë konsumi masiv që venitet me të ardhur viti tjetër, por çika e Bregut të Diellit tashmë është pjesë e pashmangshme e historisë me tërë arritjet e saj për të cilat po ia përtoj t’i rendis.
Më poshtë do të doja të ndaja një letër të përkthyer nga anglishtja të cilën e kam shkruar dy ditë më herët:
Kur isha fëmijë, shkoja te xhaxhai im në lagjen Bregu i Diellit. Aty ishte një fushë betoni sportesh ku pas ndeshjeve uleshim në ulëset e betonta dhe kalonim mbrëmjen në pushim. Më kujtohet që e sodisnim pamjen më të bukur të Prishtinës – ndërtesat e saj në vijën e qiellit të purpurt që ngadalë zhdukeshin në natën në ardhje përderisa ëndrrat tona ngjizeshin nga ato fiqirime.
Tash kur e mendoj, na ishte një vajzë që për disa vite kishte rrojtur aty dhe i kishte ecur ato rrugica e kishte kaluar nëpër ato skuta të ngushta dhe ajo mund të jetë ulur në betonin e asaj fushe dhe mund t’i ketë shikuar ato ndërtesa dhe mund ta ketë imagjinuar veten duke u ngrehur mbi ato ndërtesa shtatlarta e të fuqi-frikshme; në hamendësim të thellë se ç’mund të kishte përtej.
Një ditë ai diell u ngreh mbi kodër për të rrezatuar plot hir mbi ëndrrat e krejt gjeneratave kosovare që do të vijnë; dhe ai diell je ti, Dua Lipa. E farfuritsh përgjithmonë shembullore atë kodër të cilën rinia jonë duhet ta ngjitë!
