E diela sportive do të jetë spektakolare në kanalet sportive të Artmotion.
Në Suharekë luhet derbi mes Ballkanit dhe Dritës, teksa edhe në Gjilan dhe Skenderaj do të ketë ndeshje shumë interesante e me rëndësi të madhe për vazhdimin e edicionit.
13:30 BALLKANI – DRITA ART SPORT 1
Ballkani pret Dritën në derbin e javës që luhet këtë të diel nga ora 13:30 dhe mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Art Sport 1 e po ashtu edhe në Klan Kosova.
Ky duel i zjarrtë që mund të vlejë në fund edhe për përcaktimin e titullit kampion do të jetë i treti në mes këtyre dy skuadrave për sezonin aktual, teksa dy herë më parë nga një fitore e kanë arritur secila prej ekipeve.
Kur kanë kaluar 24 xhiro në Superligë, Drita mban pozitën e parë në tabelë me 53 pikë me Ballkanin në anën tjetër që vazhdon të jetë ndjekësja kryesore me vetëm dy pikë më pak të arkëtuara.
Ballkani, 11-shja e mundshme startuese:
Ljuljanoviç - Thaqi, Prekazi, Jashanica, Potoku - Kuç, Miftaraj, Baftiu - Gripshi, Daku, Hoxha
Drita, 11-shja e mundshme startuese:
Maloku – Limani, Cuculi, Gerbeshi, Blakqori – B.Shabani, Namani, Fazliu – Xh.Shabani, Haxhimusa, Ajzeraj
13:00 GJILANI – TREPÇA ’89 ART SPORT 2
Gjilani ndeshet me macen e tyre të zezë.
“Skifterat” që kanë vite që nuk kanë arritur të fitojnë kundër Trepçës ’89 do të synojnë që këtë ecuri ta thyejnë qysh në ndeshjen e parë në drejtim të Ismet Munishit.
Ky duel luhet të dielën me fillim nga ora 13:00 dhe transmetohet live dhe ekskluzivisht në Art Sport 2.
Në pesë ndeshjet e fundit mitrovicasit kanë tre fitore, ndërsa nga ana tjetër dy duele kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Tashmë kur kanë kaluar 24 xhiro, Gjilani mban pozitën e katërt në tabelë me 33 pikë të grumbulluara nga të cilat tetë fitore, nëntë barazime dhe shtatë disfata.
Nga ana tjetër, Trepça ’89 qëndron vetëm një pozitë më poshtë në tabelë me 31 pikë.
Gjilani, 11-shja e mundshme startuese:
Koliçi – Sorsa, Fustar, Dallku, Halili – Musolli, Useini, Aziz – Kqiku, Progni, Nikaç
Trepça ’89, 11-shja e mundshme startuese:
Tofiloski – Muja, Carbonieri, Berisha, Pllana – Rrahmani, Ademi, Jashari – Shala, Muja, Memaj
13:00 DRENICA – ARBËRIA ART SPORT 3
Një nga ndeshjet më të rëndësishmë të luftës për mbijetesë luhet në Skenderaj aty ku Drenica dhe Arbëria - që mbajnë pozitat tetë dhe nëntë në tabelë - luajnë mes tyre në një ndeshje të zjarrtë dhe të rivalizuar.
Kjo përballje luhet të dielën me fillim nga ora 13:00 dhe transmetohet live dhe ekskluzivisht në Art Sport 3.
Pas 24 ndeshjeve të luajtura, Arbëria qëndron e teta në tabelë me 7 fitore, 5 barazime dhe 12 disfata apo përkthyer në pikë vetëm 26 pikë, teksa në anën tjetër Drenica me 6 fitore, 7 barazime dhe 11 humbje ka një pikë më pak.
Dy duelet e para mes këtyre skuadrave u fituan që të dyja nga Arbëria dhe që të dyja me rezultate të ngushta 1-0.
Drenica, 11-shja e mundshme startuese:
Ymeri – Frashëri, Qaqi, Gjoni, Rapo – Mustafa, Ramadani, Veliqi, Uka, Rogova – Zabërgja
Arbëria, 11-shja e mundshme startuese:
Kaqiu – Pira, Arrabal, Ibrahimi, Avdulli – Bahtiri, Zabërgja, Adzovic – Kryeziu, Lika, Marclei
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.