Lajmet e fundit

Gjykata e Posaçme (GjKKO) në Shqipëri e ka dënuar me burgim përjetë Redjan Rrajën, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, nëntorin e vitit 2019.
Ndërkohë Arjol Halilaj, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Rrajës në atentat, është dënuar me 35 vite burg, thotë GjKKO në vendimin e publikuar gjatë ditës së martë.
Redjan Rraja u arrestua si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “vrasje e funksionarëve publikë”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në atentatin e ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit në aksin Durrës-Tiranë, u plagos prokurori Ndoja, aktualisht i shkarkuar nga vetting-u, pasagjeri tjetër Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë pas ngjarjes.
Rraja u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit.