Nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool të Anglisë do të zhvillohet Kampionati Botëror i Boksit ku do të marrë pjesë edhe Kosova. Në këtë turne, Kosova do të paraqitet me katër garues të kryesuar nga boksierja Donjeta Sadiku si dhe Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku si dhe Loris Idrizi.
Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, tha për KosovaPress se kjo federatë i ka dhënë shumë rëndësi këtij kampionati dhe se ekipi është përgatitur maksimalisht për të kërkuar rezultate të mira në këtë kampionat.
“Ne i kemi dhënë rëndësi këtij Kampionati Botëror për arsye se siç e dimë është ndër evenimentet më të mëdha për vitin 2025. Para dy javësh e kemi dërguar Donjeta Sadikun në Sheffield të Anglisë në kampin ndërkombëtar ku kanë qenë tetë shtete kurse djemtë (Shpëtom Bajoku, Bashkim Bajoku dhe Loris Idrizi) kanë qenë në Sofied të Bullgarisë ku po ashtu kanë qenë në kamp ndërkombëtar ku kanë zhvilluar përgatitje të mira për arsye se kanë pasur sparingje të cilat iu kanë munguar për arsye se në Kosovë nuk kemi aq shumë sparingje me boksierë të nivelit të lartë”, theksoi fillimisht Demolli.
Sa i përket Donjeta Sadikut, Demolli thekson se ajo është e bindur në sukses dhe se pret ta shpallet kampione e botës.
“Donjeta ka qenë në formë të mirë, ka pasur një ftohje për tre apo katër ditë por është kaluar ajo dhe është në formën e duhur dhe presim që medaljen e bronztë që ajo e ka nga Kampionati Botëror në Turqi ta shndërrojë në Liverpool në medalje të artë dhe besoj dhe shpresoj që Donjeta do të jetë kampione e botës. Kurse, nga djemtë presim që të marrim minimumin një medalje, pa marrë parasysh a është e artë, e argjendtë apo e bronztë”, shtoi tutje Demolli.
Tutje Demolli bën të ditur se edhe në këtë kampionat, ekspedita kosovare ka udhëtuar me disa telashe financiare pasi është dashur që ato të sigurohen përmes huazimeve dhe pastaj ato të kthehen kur Ministria e Sportit t’i lëshojë pagesat e rregullta.
“Ne si gjithnjë deri më sot ia dalim që të huazojmë mjete për të paguar shpenzimet dhe pasi të dalin mjetet nga ministria i kthejmë ato sikur gjithnjë deri më tani për arsye se në këtë federatën e re Ëorld Boxing duhet që tre muaj përpara ta paguajmë hotelin, biletat që është një mangësi por besoj që në të ardhmen kjo të përmirësohet sepse tre muaj përpara nuk mund ta paraqesim ekipin kur mundet ndonjë boksier ta pësojë ndonjë lëndim dhe të mos marrë pjesë.”, bëri ët ditur Demolli.
Demolli gjithashtu ka bërë të ditur se shorti për luftërat e këtij kampionati do të hidhet sot në ora 16:00 dhe aty Donjeta Sadiku dhe të tjerët do t’i mësojnë rivalët e tyre.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.