Qyteti i Delvinës është shpallur zyrtarisht pasuri kulturore e paluajtshme, në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike e arkitektonike të kësaj zone me traditë të pasur. Shpallja e Delvinës në këtë kategori vjen si rezultat i trashëgimisë së saj të veçantë urbane, e cila përfshin ndërtime karakteristike, rrugica tradicionale dhe elemente të arkitekturës që pasqyrojnë zhvillimin historik të qytetit ndër shekuj.
Delvina tashmë i bashkohet listës së zonave të mbrojtura në vend, duke dëshmuar edhe një herë pasurinë e jashtëzakonshme kulturore që Shqipëria ofron dhe nevojën për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm./Klankosova.tv

●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.