Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq deri pak javë më parë, ishte i Zoti i Serbisë me të gjithat. Gjithçka ishte në dorën e tij. Pushteti, paraja, relacionet e mira me Perëndimin.
Ai mundohej me mish e me shpirt që Serbinë ta prezantojë kudo si një tregim të suksesshëm, madje, si krye-rrëfimin e kësaj ane të Evropës.
Serbia është në qendër të Ballkanit, është shteti më i fuqishëm në këtë pjesë të Evropës, dhe pa Serbinë (lexo: pa Vuçiqin), nuk mund të bëhet gjë këndejpari.
Kjo ishte porosia kyç e Vuçiqit.
Rrëzimi i një strehe në stacionin kryesor hekurudhor të Novi Sadit, kur, me 1 nëntor vdiqën 15 qytetarë të këtij shteti, ktheu gjithçka përmbys në Serbinë e Vuçiqit.
Tragjeditë e tilla ndodhin. Madje edhe në shtetet më të zhvilluara në Evropës, edhe në SHBA.
Por, kudo në Perëndim, këto tragjedi përcjellen me kërkimin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë, por dhe të asaj objektive (të instancave politike).
Pësimet e atyre të cilët në një mënyrë apo tjetrën me punën apo edhe pakujdesinë e tyre mundësuan një tragjedi me humbje jetësh, janë përcjellës i këtyre ngjarjeve në demokraci.
Natyrisht, hetimeve ju paraprinë dorëheqjet e zyrtarëve qendror dhe lokal në një shtet të mbërthyer me lajme të këqija.
Serbia e Presidentit Vuçiq qëmoti, apo, për vite të tëra, është shquar me animet e saj drejt një shteti autoritar. Meritat për këtë kryekëput i takojnë Vuçiqit.
Megjithatë, pushteti i tij mbahej goxha mirë në këmbë, falë një PR-i 24 orësh që ky e udhëheqte thuaja fillikat vetëm, pastaj, opozitës së dobët, gjysmë të rrënuar, më në fund, në vijim të një modeli të ’Stabilokracisë’ i cili përkrahej me të madhe në Bruksel dhe në Washington.
Por, sprovat si kjo që përkon me tragjedinë e Novi Sadit, janë testi më i mirë i mundshëm për karakterin e një pushteti. U përmend tashmë se si reagohet në këto raste në shtetet demokratike. E në ato autoritare, çfarë është Serbia, ndodhë e kundërta. Bëhet gjithçka që është e mundur që të mos mbërrihet tek adresat e mirëfillta të përgjegjësisë konkrete, teksa nuk bëhet fjalë fare për një marrjen e vendimeve të atyre autoriteteve qendrore dhe lokale, të cilat, duhet të largohen nga pushteti.
Vuçiq i bëri akrobacionet e zakonshme të tij, sepse supozonte që me një opozitë të lodhtë çfarë ka, mund ta tejkalojë edhe këtë sfidë problematike.
Ndodhi më pas ajo që ishte befasi shokuese për te: Me atë logjikën kur një topth i vogël bore kthehet në ortek që përmbysë gjithçka para vetes, një grusht studentësh nisën protestën në Beograd, dhe brenda një kohe të shkurtër u krijua një Lëvizje e madhe shoqërore në të katër anët e Serbisë.
Kjo çfarë po ndodhë në Serbi është një tjetër tipar i pushteteve autoritare: Ato, sado që ushtrojnë një kontroll të madh në pushtet dhe rreth tij, në mënyrë sistematike prodhojnë pakënaqësi të vazhdueshme në të gjitha poret e shoqërisë, e cila grumbullohet dhe pret momentin më të mirë, apo një shkas të vetëm, për të shpërthyer në atë shoqëri, dhe për të marrë formën e një lëvizjeje kundër pushtetit.
Te pushtetet autoritare, një çarje sado e vogël pastaj mund të çojë në krijimin e rrethanave kur një pushtet që deri dje dukej i palëkundshëm, të bëhet copë e grimë për pak javë apo disa muaj.
Duket se Presidenti i Serbisë u gjet së fundit, pas të gjitha zhvillimeve në Serbi, të cilat përfshinë edhe dorëheqjen e Kryeministrit të Qeverisë, Millosh Vuçeviq, në një situatë të cilën aspak nuk e dëshiron: Kur thuaja asgjë më nuk varet prej tij, apo, kur çka do që të bën, mund t’i kushtojë atij humbjen e pushtetit.
Nëse vazhdon të lëshojë pe, siç po bën ditëve dhe javëve të fundit, atëherë, ai do të tregohet si politikan gjithnjë e më i pafuqishëm, të cilit po i rrëshqet situata nga dora, dhe që madje, mund edhe të rrëzohet shpejt nga pushteti.
Nëse e radikalizon qasjen e tij ndaj kësaj Lëvizjeje të madhe qytetare në Serbi, do të mund të përballet me reagimet nga vetë strukturat e sigurisë së këtij shteti, siç ndodhi zaten në ditët e fundit të pushtetit të Sllobodan Milosheviqit, në vitin 2000.
Nuk ka zgjedhje dhe as zgjidhje të mirë për Vuçiqin.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.