Ndonëse shënuan të parët përmes Rodrigos, Real Madridi nuk arriti të merrte pikë në sfidën ndaj Manchester Cityt në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Avantazhi i madrilenëve zgjati vetëm shtatë minuta, pasi Nico O’Reill u kundërpërgjigj menjëherë për Cityn duke barazuar në 1-1. Mysafirët e përmbysën rezultatin para pushimit të pjesës së parë, kur Erling Haaland realizoi nga penaltia në minutën e 43’.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, duke i dhënë Cityt një fitore të rëndësishme në “Santiago Bernabeu”.
Triumf regjistroi edhe Juventusi, që mposhti Pafosin me rezultat 2-0. Weston McKennie zhbllokoi sfidën në minutën e 67’, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Jonathan David vulosi fitoren. Në këtë ndeshje u aktivizua edhe ylli kosovar, Edon Zhegrova, i cili luajti 45 minutat e para.
Arsenali fitoi bindshëm si mysafir ndaj Club Brugge, 3-0. Nony Madueke hapi serinë e golave në minutën e 25’, e po ai dyfishoi rezultatin menjëherë në fillim të pjesës së dytë. Golashënuesi i tretë ishte Gabriel Martinelli.
Ndërkohë, kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, u ndal me humbje në udhëtim te Benfica, 2-0. Për portugezët shënuan Rios dhe Barreiro.
Baras pa gola u mbyll dueli mes Paris Saint-Germainit dhe Atletico Bilbaos, ndërsa Ajaxi triumfoi 4-2 ndaj Karabagut.
Po ashtu, Borussia Dortmundi dhe Bodo Glimti u ndanë 2-2, rezultat i cili u përsërit edhe në sfidën Newcastle United – Bayer Leverkusen.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.