Në moshën 71 vjeçare vdiq figura e famshme e humorit shqiptar, Rasim Thaçi – Cima.
Ai njihej për komedinë e tij të karakterizuar nga një energji e pashtershme në performancë, për komedinë e tij që shpesh bazohej në situata të sikletshme e plogëti.
Ishte i pranueshëm dhe i pëlqyer me skeçet e tij me Treshi Përsheshi, krah Qumilit dhe Lecit.
Ishte njashtu i dashur edhe si dyshe me Lecin.
Por pati po aq prezencë në ekranet e shtëpive kosovare edhe kur performonte vetë.
I lindur në Vukovc të Drenicës, para ardhjes së tij në jetë, prindërve të vet iu kishin vdekur pesë fëmijë.
I mësuar me jetën rustike në fshat të cilën më pas jo rrallë herë do ta portretizonte edhe përmes personazhit të tij skenik dhe skeçeve, Thaçi fillimisht do t’i rrekej drejtimit të Ndërtimtarisë.
Anash shkollimit, ai ushtronte edhe talentin prej futbollisti dhe kompromisin mes këtyre dy drejtimeve e bëri duke shkuar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe duke diplomuar eventualisht.
Mirëpo, në vitet e 1980-ta ajo që Thaçi do ta ndërtonte në të vërtet doli të ishte karriera prej humoristi, dhe aspekti fizik ishin pikërisht mimika dhe gjestet e tij identifikuese të alter-egos, Cima.
Edhe ai sikur pothuajse krejt gjenerata e atëhershme artistike gjeti hapësirën në Radiotelevizionin e Prishtinës, ku edhe debutoi në zanatin për të cilin e njohin të gjithë. Në këtë dekadë ai bashkë me Sevdai Radogoshin – Qumilin dhe Ibrahim Krajkovën – Lecin, formuan Treshi Përsheshin – trion humoristike, fajtore për të qeshurat zëlarta e duar-në-bark të bashkëkohësve të vet, dhe ndikimin në gjeneratat pasuese të humorit para dhe pas luftës në Kosovë.
Edhe pasi anëtarët e Treshit i ndanë rrugët, që të tre u gjetën edhe në krijimtaritë solo, ndonëse ndër vite i kryqëzonin rrugët duke bërë projekte të përbashkëta humoristike.

https://www.youtube.com/watch?v=DIWAje40Y4E&t=5s
Krijimtaria dhe prezenca artistike e mediale e Cimës vazhdoi deri pak kohë para se ta godiste koronavirusi.
Madje, emisioni i fundit ku ishte prezent qe talk-shou i Robert Berishës,
Robi plaket kur do vet i dhënë premierë më 7 mars të këtij viti.
Edhe aty ishte po i njëjti Cimë, me po të njëjtin vrull. Aty një performoi një pikë muzikore ku iu drejtua sëmundjes Covid-19 me këto fjalë:
F**k you, Covid!
Mirëpo nuk shkoi gjatë dhe koronavirusi e preku; dhe e mundi. Ama me paraqitjen e tij të fundit, iku tipik si Cimë. Iku në stil. Në stilin e tij. Origjinal. I drejtpërdrejtë. Zevzek. Shoumen. Afër njërit nga Treshi, Qumilit, duke mos e ditur se pak javë më pas do të ishte afër tjetrit Tresh, të ndjerit Lecit.
Sidoqoftë, ia tha kovidit atë që kishte për t’ia thënë.
Thaçi dhe Cima e shëmbëllenin njëri-tjetrin – shpesh nuk dihej kur ishte Thaçi, e kur Cima – apo nëse ishin gjithmonë i njëjti.
Me këtë rrjedhë zhvillimesh, janë fansat e pikëlluar të Cimës ata që sot me gjasë e thonë – me ofshamë, e jo me energjinë Cimore:
F**k you, Covid!

https://www.youtube.com/watch?v=TbRmpFq3LqM
https://www.youtube.com/watch?v=t7gUr_qRz7A